Një variant i ri Covid: Identifikohet Delta Plus, dyshime se është edhe më i rrezikshëm se Delta

01:38 | 28 Qershor 2021
Trina Galanxhi

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përhapja masive e variantit Delta të Covid ka bërë që vetë ky variant të pësojë modifikime dhe në disa zona të shfaqet ai që për momentin OBSH e ka quajtur Delta Plus.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të premten se varianti Delta i koronavirusit është identifikuar në të paktën 85 vende të botës dhe “është më ngjitës krahasuar me variantet e tjera të identifikuara deri më tani. Ai shtoi se ky variant po përhapet me shpejtësi në mesin e personave të pavaksinuar.

“Disa vende po lehtësojnë masat e shëndetit publik dhe të distancimit fizik dhe kemi filluar të shohim rritje të infeksioneve në të gjithë botën”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Është mjaft e thjeshtë: sa më shumë infeksione, aq më shumë variante”, tha ai.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë kjo gjë e bën edhe më urgjente përdorimin e të gjitha mjeteve në dispozicion për të parandaluar infeksionet.

Mutacion i ri i variantit Delta të koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Indi, është shfaqur në pothuajse 12 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Autoritetet druhen se varianti “Delta Plus” mund të jetë edhe më ngjitës, se varianti Delta. Shkencëtarët sapo kanë nisur ta studiojnë llojin e ri dhe për momentin ka pak të dhëna për të./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme