Nga maskat, tek imuniteti: Tre debate të forta shkencore mbi koronavirusin

00:49 | 23 Gusht 2020
Trina Galanxhi

Edhe pse liderët politikë kanë mbyllur kufijtë si përgjigje ndaj COVID-19, shkencëtarët po bashkëpunojnë si kurrë më parë. Por koronavirusi (SARS-COV-2) është i ri – dhe ne ende nuk kemi të gjitha faktet në lidhje me të. Si rezultat, mund të duhet të ndryshojmë qasjen tonë, pasi të kemi të dhëna të reja shkencore.

Kjo nuk do të thotë se shkenca nuk është e besueshme – ne thjesht do ta kemi pamjen e plotë me kalimin e kohës. Dhe tashmë ka studime të shkëlqyera, që mund të ndihmojnë në informimin e vendimeve politike. Ja tre tema për të cilat shkencëtarët nuk pajtohen.

Maskat

Koronavirusi i ri përhapet nga stërklat që dalin nga kollitjet, teshtitjet dhe të folurit. Për të ndaluar përhapjen e virusit, maskat në fytyrë janë bërë të detyrueshme në shumë vende.

Por ka pasur shumë debate midis shkencëtarëve mbi efektivitetin e maskave të fytyrës në zvogëlimin e përhapjes së COVID-19. Një raport nga një grup multidisiplinar i thirrur nga Royal Society, ka dalë në favor të mbajtjes në publik të maskave ​​për fytyrën. Këto dokumente, të cilat ende nuk janë shqyrtuar nga kolegët, argumentojnë se mbulesat e fytyrës mund të kontribuojnë në zvogëlimin e transmetimit të COVID-19, nëse përdoren gjerësisht në situata kur distanca fizike nuk është e mundur.

Një studim klinik relativisht i vogël tregoi gjithashtu se fëmijët e infektuar që mbanin maska ​​nuk e transmetonin virusin në kontaktet familjare.

Por shkenca është komplekse. Maska për fytyrën nuk do ta ndalojë përdoruesin të thithë grimca të vogla të koronavirusit nga ajri, të cilat mund të shkaktojnë infeksion. Një studim i kohëve të fundit raportoi se veshja e një maske mund të krijojë gjithashtu një sens të rremë të sigurisë, që do të thotë se mbajtësit mund të injorojnë masa të tjera të rëndësishme të kontrollit të infeksionit.

Studimet kanë treguar gjithashtu se kur njerëzit veshin maska, ajri i nxjerrë shkon në sy. Kjo shkakton një impuls për të prekur sytë. Dhe nëse duart janë të ndotura, mund të infektoni veten. Në të vërtetë, OBSH paralajmëron se maskat mund të jenë joproduktive, nëse përdoruesit nuk shmangin prekjen e fytyrës dhe nuk marrin masa të tjera.

Ne gjithashtu dimë që maskat e fytyrës mund të na bëjnë të marrim frymë më shpesh dhe më thellë – si pasojë mund të thithim më shumë ajër të infektuar.

Prandaj shumë shkencëtarë nuk pajtohen me raportin e Royal Society, duke kërkuar më shumë prova mbi efektivitetin e maskave. Idealisht, ne kemi nevojë për teste të kontrolluara që përfshijnë shumë njerëz nga një popullatë e tërë, për të gjetur se si maskat ndikojnë në numrat e infeksionit.

Thënë kjo, shkencëtarë të tjerë argumentojnë se duhet të përdorim maska ​​për fytyrën edhe pse mungojnë prova krejtësisht të besueshme – thjesht që të jemi në anën e sigurt. Në fund të fundit, pa një vaksinë, armët më të forta që kemi janë masat themelore parandaluese siç është larja e rregullt e duarve dhe distancimi social.

Imuniteti

Imunologët po punojnë shumë për të përcaktuar se si do të ishte imuniteti ndaj COVID-19. Pjesa më e madhe e studimeve janë përqendruar në “antitrupat neutralizues”, të prodhuar nga të ashtuquajturat qelizat-B, të cilat lidhen me proteinat virale dhe parandalojnë direkt infeksionin.

Studimet kanë zbuluar që nivelet e antitrupave neutralizues mbeten të larta për disa javë pas infeksionit, por pastaj zakonisht fillojnë të bien. Një studim nga Kina dhe i shqyrtuar edhe nga homologë në BE dhe SHBA, tregoi se personat e infektuar kishin rënie të madhe të niveleve të antitrupave brenda dy deri në tre muaj pas infeksionit. Kjo ka krijuar dyshime nëse njerëzit marrin mbrojtje afatgjatë kundër ekspozimit të mëvonshëm ndaj virusit. Nëse ky studim rezulton të jetë i saktë – rezultati duhet të mbështetet nga studime të tjera – mund të ketë implikime nëse është e mundur të prodhohen vaksina me imunitet afatgjatë.

Ndërsa shumë shkencëtarë besojnë se antitrupat janë çelësi i imunitetit, të tjerë argumentojnë se qelizat e tjera imunitare të quajtura qelizat-T – të prodhuara kur trupi takon molekulat që luftojnë viruset, të njohura si antigjene – janë gjithashtu të përfshira në proces. Këto mund të bëhen të programuara për të luftuar të njëjtat viruse, ose viruse të ngjashme në të ardhmen. Dhe studimet sugjerojnë që qelizat T vihen në veprim në shumë pacientë që luftojnë COVID-19. Njerëzit që nuk janë infektuar asnjëherë mund të kenë edhe qelizaT mbrojtëse, sepse ato mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj koronavirusëve të ngjashëm.

Një studim i kohëve të fundit nga Instituti Karonliska në Suedi, i cili ende nuk është shqyrtuar nga homologët, zbuloi se shumë njerëz që vuajtën infeksionin COVID-19 në formë të butë ose ishin asimptomatikë, kanë imunitet të ndërmjetësuar nga qelizat T – madje edhe kur antitrupat nuk mund të zbulohen. Autorët besojnë se kjo mund të parandalojë ose kufizojë rikthimin e infeksionit, duke vlerësuar se një e treta e njerëzve me COVID-19 pa simptoma mund të kishin këtë lloj imuniteti. Por ende nuk është e qartë se si funksionon dhe sa zgjat.

Nëse është e vërtetë, ky është një lajm shumë i mirë – do të thotë që imuniteti publik ndaj COVID-19 është ndoshta dukshëm më i lartë nga sa kanë sugjeruar testet e antitrupave. Disa kanë argumentuar se mund të krijojë “imunitet të tufës” – kur mjaftueshëm njerëz janë infektuar për t’u bërë imun ëndaj virusit – me një shkallë infeksioni të ulët deri 20%, dhe jo 60-70% që është norma e pranuar gjerësisht. Megjithatë, ky pretendim është ende i diskutueshëm.

Përgjigja imune ndaj COVID-19 është komplekse, me panoramën e plotë që ka të ngjarë të shtrihet përtej antitrupave. Studime më të mëdha për periudha më të gjata kohore duhet të bëhen me qelizat T dhe antitrupat, për të kuptuar se sa zgjat imuniteti, dhe si lidhen këto përbërës të ndryshëm të imunitetit COVID-19.

Numri i rasteve

Raportimi i rasteve të koronavirusit ndryshon në mënyrë drastike në të gjithë botën. Disa rajone raportojnë se më pak se 1% e njerëzve janë infektuar, dhe të tjerët që mbi gjysma e popullsisë ka kaluar COVID-19. Një studim, i cili është shqyrtuar nga homologë, vlerësoi se vetëm 35% e rasteve simptomatike janë raportuar në SHBA, dhe që shifra është edhe më e ulët për disa vende të tjera.

Kur bëhet fjalë për të vlerësuar prevalencën e vërtetë, shkencëtarët përdorin vetëm një nga dy qasjet kryesore. Ata ose testojnë një mostër të njerëzve në një popullatë për antitrupa dhe raportojnë drejtpërdrejt ato shifra, ose parashikojnë se si virusi ka prekur një popullatë duke përdorur modele matematikore. Modele të tilla kanë dhënë vlerësime shumë të ndryshme.

Studimi i udhëhequr nga Universiteti i Torontos në Kanada, i cili nuk është shqyrtuar ende nga homologët, vlerësoi të dhënat e testit të gjakut nga njerëzit në të gjithë botën dhe u zbulua se përqindja e atyre që kanë pasur virus ndryshon gjerësisht në të gjitha vendet.

Ne nuk e dimë arsyen. Mund të ketë ndryshime reale për shkak të moshës, shëndetit ose përhapjes së secilës popullatë – ose në politikat për të kontrolluar transmetimin e virusit. Por ka shumë të ngjarë që ka të bëjë me ndryshime në metodologji, siç janë testet e antitrupave (testimi serologjik): teste të ndryshme kanë ndjeshmëri të ndryshme.

Studimet e antitrupave sugjerojnë që vetëm 14% e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar kanë pasur COVID-19, krahasuar me 19% në Suedi dhe 3% në Jemen. Por kjo përjashton qelizat T. Nëse ofrojnë një udhëzues të besueshëm për infeksionin, numri mund të jetë shumë më i lartë – potencialisht afër imunitetit të tufës në disa rajone – por kjo është shumë e debatuar. /The Conversation – Bota.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme