Google ADS

Nëntë në dhjetë pacientë të shëruar nga Covid-19 përjetojnë efekte anësore

13:22 | 29 Shtator 2020
Arbresh.info

Nëntë në dhjetë pacientë me koronavirus përjetojnë efekte anësore si lodhja, pas-efekte psikologjike dhe humbje të shijes dhe erës edhe pasi janë shëruar nga sëmundja, sipas një studimi të kryer nga Koreja e Jugut.

Hulumtimi vjen gjersa numri i përgjithshëm i të vdekurve në mbarë botën nga Covid-19 kaloi shifrën një milion, një numër ky i zymtë që ka zhytur ekonominë globale, mbingarkuar sistemet shëndetësore dhe ka ndryshuar mënyrën e jetesës së njerëzve, transmeton portali arbresh.info.

Në një sondazh në internet të 965 pacientëve të rikuperuar COVID-19, 879 persona ose 91.1% u përgjigjën se vuanin të paktën një efekt anësor nga sëmundja, tha zyrtari i Agjencisë së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Koresë (KDCA), Kwon Jun-wook.

Lodhja ishte efekti anësor më i zakonshëm me 26.2% lexim, i ndjekur nga vështirësia në përqendrim që kishte 24.6%, tha Kwon.

Efektet e tjera pasuese përfshinin efekte anësore psikologjike ose mendore dhe humbje të shijes ose erës.

Kim Shin-woo, profesor i mjekësisë së brendshme në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Kombëtar Kyungpook në Daegu, kërkoi komente nga 5,762 pacientë të rikuperuar në Korenë e Jugut dhe 16,7% e tyre morën pjesë në sondazh, tha Kwon.

Ndërsa hulumtimi është bërë në internet për tani, studiuesi kryesor Kim së shpejti do të publikojë studimin me analiza të hollësishme, tha ai.

Koreja e Jugut po kryen gjithashtu një studim të veçantë me rreth 16 organizata mjekësore mbi ndërlikimet e mundshme të sëmundjes përmes një analize të hollësishme që përfshin skanime CT në pacientë të rikuperuar vitin e ardhshëm, tha Kwon në konferencë.

Vendi raportoi 38 infeksione të reja nga mesnata e së hënës, për një ditë të pestë të rritjes dyshifrore, duke çuar numrin kombëtar në 23,699 raste, me 407 vdekje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme