Google ADS

Në Shqipëri koronavirusi po prek moshat e reja, vdes 34 vjeçarja

18:10 | 24 Qershor 2020
Trina Galanxhi

Në Shqipëri vijojnë të rriten me ritme të larta rastet e reja, ndërsa që prej dy javësh janë shtuar ndjeshëm dhe viktimat. Sot u njoftua për një 34 vjeçare e cila humbi jetën. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, të infektuarit që po shfaqin shenjat klinike, janë tanimë dhe mosha të reja. Gjatë 24 orëve të fundit, ka patur 67 të prekur, të zbuluar në 17 qytete të ndryshme të vendit

Të dhënat e të paktën dy javëve të fundit po dëshmojnë, ashtu siç dhe vetë mjekët e kanë pohuar, se Koronavirusi në Shqipëri, nuk e ka humbur forcën dhe po shfaqet agresiv. Që prej 11 Qershorit mesatarja e vdekjeve është një person në ditë. Në total në Shqipëri numërohen 47 viktima, nga të cilat më shumë se një e katërta vetëm në 14 ditët e fundit.

Autoritetet njoftuan sot se një 34 vjeçare nga Librazhdi ka humbur jetën. E reja “vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me Covid19, e shtruar në shërbimin infektiv prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar, pavarësisht përkujdesjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë”, deklaroi zonja Marjeta Dervishi e Institutit të Shëndetit Publik.

Viktima e sotme është më e reja në moshë, mes atyre që kanë humbur jetën. Ministria bëri të ditur se virusi po shfaqet me komplikacione shëndetësore të rënda jo vetëm te të moshuarit. Në spital “vijon të ketë shtrime me simptoma të rënduara si pasojë e COVID 19, duke përfshirë dhe mosha të reja që po shfaqin gjendje të rënduar shëndetësore”, bëri të ditur zonja Dervishi.

Aktualisht në Spitalin Infektiv po trajtohen 82 pacientë, ndërsa po rritet numri i atyre që janë në një situatë kritike. Të paktën 14 pacientë janë në terapi intensive.

Edhe rastet e reja mbeten po ashtu në nivele të larta. Në 24 orët e fundit jnë konfirmuar 67 të prekur, të zbuluar në 17 qytete të vendit. Në total numri i të infektuarve që nga fillimi i epidemisë është mbi 2100 persona, por gati 40 përqind e tyre i përkasin 16 ditëve të fundit, ku mesatarja ditore ka qenë prej 53 të prekurish.

Heqja e masave shtrënguese, pasoi një mungesë të përgjithshme të respektimit të rregullave dhe protokolleve të sigurisë shëndetësore si nga individët po ashtu në masë të madhe dhe nga institucionet dhe ndërmarrjet pubilke e private./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme