T.K (emër i njohur për redaksinë) thotë të ketë qenë e detyruar të dalë në vendin e punës, pavarësisht se punëdhënësi i saj nuk ka siguruar të gjitha masat për mbrojtje nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Ajo thotë se i gjithë stafi që punon në këtë kompani private ka rinisur punën në zyret e njëjta, pa u krijuar distanca fizike prej 2 metrash, ashtu siç është rekomanduar nga autoritetet shëndetësore.
“Masat nuk janë respektuar, por ka pasur disa prej tyre që janë respektuar, siç është dezinfektimi dhe ka pasur dezinfektues. Sa i përket distancës… jo nuk ka hapësirë të mjaftueshme për personat që jemi (në zyrë). Rreziku prej se kemi rifilluar punën është shumë më i madh. Po ka qenë me patjetër që të dalim në punë. Në këto kushte po arrihet të punohet, por frika dhe stresi është i madh mos po infektohemi, pasi që një zyrë punojnë katër deri në tetë persona”, thotë ajo.
Masat për mbrojtje nga Covid-19, pas lirimit të masave të izolimit, që janë rekomanduar nga autoritetet shëndetësore, përfshijnë krijimin e distancës fizike deri në dy metra, vendosjen e maskave si dhe mbajtjen e higjienës.
Në Kosovë, ditëve të fundit është rritur numri i të infektuarve me koronavirus. Vetëm në tre ditët e fundit janë regjistruar 347 raste të reja me Covid-19, duke çuar në 1,833 numrin total të të prekurve me këtë virus.
Përfaqësues të sindikatave, të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve në sektorin privat në Kosovë, thonë se punëtorët u detyruan nga punëdhënësit të dalin në vendet e tyre të punës pa i siguruar masat për mbrojtje nga Covid-19.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë pranuar informacione nga punëtorët, të cilët kanë thënë se nuk u janë krijuar kushtet për rifillimin e punës.
“Që nga fillimi i pandemisë e edhe tani, vlera më e vogël i është kushtuar punëtorëve nga pronarët e kompanive për të cilët qëllimi i tyre ka qenë vetëm ta rifillojnë punën pa ofruar kushtet minimale me masa mbrojtëse”, thotë Azemi.
Ai bën të ditur se gjatë ditëve të fundit, një numër i madh i punëtorëve në sektorin privat janë infektuar me koronavirus.
“Ne kemi informacione po ashtu që edhe pronarët e kompanive e kanë ditur që një pjesë e punëtorëve janë të infektuar dhe punëtorët nuk kanë pasur të drejtë që t’i njoftojnë kolegët e tyre që janë të infektuar”, thotë Azemi.
Ndërkaq, sipas tij, punëtorët të cilët janë infektuar me koronavirus, e të cilët janë vetizoluar, po rrezikohen ta humbin vendin e punës dhe po ashtu të mos marrin edhe paga.
Lehtësimi i masave të izolimit në Kosovë ka nisur të bëhet gradualisht qysh më 4 maj. Bizneset kanë filluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre në të gjithë sektorët dhe pa ndonjë ndalesë deri një ditë më parë, kur Qeveria e Kosovës mori masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës institucionet publike dhe private obligohen të organizojnë punën me stafin e tyre në distancë fizike, apo nga shtëpitë e tyre (në mënyrë) online, që nënkupton reduktimin e stafit./rel
Rrëfimi drithërues i Anisës për vështirësitë e mëdha që ia s...
BBC: Aventura e papërsëritshme në lumin e egër të Shqipërisë
Eskalojnë protestat në Tbilisi, 44 të plagosur përfshirë 21 ...
Vullneti shpërthen ndaj Kevinit, pas vendimit për të hequr 1...
Simptomat që mund të tregojnë mungesën e hekurit
Xheneta le me gojë hapur të gjithë: Nëse ma sjellni edhe mu ...