Google ADS

Meta: Nevojitet një plan konkret dhe i prekshëm në mbështetje të turizmit

14:24 | 12 Maj 2020
Arbresh.info

Presidenti Ilir Meta kërkon nga qeveria që të hartojë një plan konkret në mbështetje të sektorit të turizmit, si një nga më të prekurit nga koronavirusi.

Sipas Presidentit Meta sezoni i ri turistik në vend parashikohet të jetë tejet i vështirë.

“Veç humbjeve gjatë periudhës së karantinës, shumica e prenotimeve janë anuluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori tepër të rëndësishëm për ekonominë familjare dhe kombëtare. Shqetësimi i thellë për krizën e rëndë ku ndodhet ky sektor m’u shpreh sot edhe në takimin që zhvillova me përfaqësuesit e operatorëve dhe agjencive turistike kryesore në vend. Nevojitet qartësi, solidaritet gjithëpërfshirës kombëtar, një plan konkret dhe i prekshëm në mbështetje të turizmit, që dëmi i shkaktuar nga pandemia COVID-19 të jetë sa më minimal dhe që ky sektor të rimëkëmbet shpejt, në mënyrë që familjet e bizneset shqiptare të cilat të ardhurat i kanë nga turizmi, të përfitojnë sa më shumë gjatë këtij sezoni”, shkruan Presidenti Ilir Meta pas takimit me këtë sektor.

Po ashtu Kreu i Shtetit tha se është e rëndësishme të caktohen protokolle të veçanta të sigurisë shëndetësore.

“Me rifillimin e fluturimeve dhe hapjen e kufijve tokësorë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me vendet fqinje, për të mirën e përbashkët, duhet të mbështesim turizmin vendas dhe familjet shqiptare që mbahen gjatë vitit nga sezoni turistik. Për këtë është e rëndësishme të caktohen protokolle të veçanta të sigurisë shëndetësore të përshtatura për vendqëndrimet, mjetet e transportit, hotelet, bregdetin, dhe zonat e tjera që vizitohen dhe ku pushojnë turistët.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme