Google ADS

Maqedonia e Veriut regjistron 116 persona të riinfektuar me COVID-19

16:45 | 17 Mars 2021
Arbresh.info

Maqedonia e Veriut ka regjistruar 116 persona të riinfektuar me koronavirusin e ri, ku dy prej tyre kanë vdekur. Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, ndërsa i përkasin periudhave të ndryshme kohore.

Drejtuesit e institucioneve, thonë se rastet me këta persona janë të verifikuar nga organet përkatëse për të mos lënë dyshime mbi mundësinë e gabimeve gjatë infektimit të tyre të parë.

“Te ne deri më tani, bazuar në të dhënat e ditës së martë, janë regjistruar 116 persona të riinfektuar me COVID-19 si dhe dy persona të vdekur, pra persona që më herët ishin diagnostikuar me koronavirus, që e kishin kaluar sëmundjen, por që ndërruan jetë pas infektimit të dytë. Ne po e përcjellim situatën me këto raste, por e them se riinfektimi është i mundur dhe kjo është dëshmuar edhe në suaza botërore. Bëhet fjalë për një numër të vogël apo 0.001 për qind nga numri i përgjithshëm i personave që kanë qenë të infektuar me koronavirusin e ri”, deklaroi kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karxhoski.

Ai tha se analizat e bëra janë të besueshme dhe se riinfektimi i këtyre personave ka ardhur para se gjithash nga mosrespektimi i masave mbrojtëse dhe pretendimi i tyre se më nuk mund të infektohen.

“Duke menduar se më nuk do të infektohen, ata nuk kanë respektuar masat dhe kanë pasur kontakte me persona të infektuar, me siguri me variantin britanik të koronavirusit. Karakteristikë e këtij lloji të virusit është se përhapet më shpejt, në masën e 50 apo 70 për qind. Variantin e ri e kemi këtu në masë të madhe dhe ne nuk mund t’i themi askujt se në raste se e kanë kaluar infektimin nuk do të riinfektohesh. Kemi mbi katërmijë mutacione të virusit kështu që nuk përjashtohet asnjë mundësi e riinfektimit”, është shprehur Karxhoski.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka thënë se institucionet po ndjekin gjendjen epidemiologjike dhe në fillim të javës së ardhshme do të vendoset nëse do të ketë masa të reja shtrënguese. Ai tha se deri në fillim të muajit të ardhshëm, përmes mekanizmit COVAX, pret që të arrijnë rreth 100 mijë doza vaksinash.

Ai tha se vaksina kundër koronavirusit, e kompanisë britanike, AstraZeneca, sikur edhe të gjitha vaksinat e tjera që hyjnë dhe do të hyjnë në Maqedoninë e Veriut, janë të sigurta për qytetarët. Filipçe paralajmëroi edhe doza të reja vaksinash nga Kina dhe Rusia, por pa saktësuar sasinë dhe datën e mbërritjes së tyre në vend.

“Dua të përcjell mesazhin për të gjithë qytetarët se pandemia ende është e pranishme dhe se masat mbrojtëse duhet t’i respektojmë. Edhe shtetet të cilat kanë avancuar shumë me vaksinimin e popullatës po përballen me valë të madhe të infektimeve andaj edhe ne duhet të jemi kujdesshëm që të parandalojmë përhapjen e virusit”, ka deklaruar Filipçe.

Maqedonia e Veriut në dy javët e fundit ka shënuar rritjen më të madh të të infektuarve që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar. Të hënën dhe të martën numri i të infektuarve ka arritur në mbi njëmijë persona. Që nga paraqitja e pandemisë, me sëmundjen COVID-19 janë diagnostikuar rreth 114 mijë persona, prej tyre mbi tremijë persona kanë humbur jetën, rreth 98 mijë janë shëruar, ndërsa afër 12 mijë janë ende raste aktive./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme