Maqedonia e Veriut do të nisë vaksinimin e fëmijëve kundër koronavirusit

20:57 | 15 Korrik 2021
Arbresh.info

Mbi 1,200 fëmijë të moshës 12-18 vjeç janë paraqitur për vaksinim kundër koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.

Pas marrjes së terminit, ata do të imunizohen me nga dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë.

Deri të enjten, në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar rreth 450 mijë persona – prej tyre afro 260 mijë me nga dy doza.

Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi ka njoftuar të enjten për 26 raste të reja me koronavirus – gjysma e të cilave janë në Shkup.

Aktualisht, raste aktive në Maqedoninë e Veriut janë 225.

Atje janë konfirmuar dy variante të koronavirusit: Gama – i identifikuar për herë të parë në Brazil – dhe Delta – i identifikuar për herë të parë në Indi.

Delta, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është më ngjitëse se variantet e mëparshme dhe është duke shkaktuar rritje të numrit të rasteve në disa vende të botës.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka thënë të enjten se vaksinimi mbetet mënyra e vetme për parandalimin e përhapjes së virusit.

Nga vjeshta, kur mund të ketë valë të re të koronavirusit, në këtë vend do të jenë të mundshme disa kufizime për qytetarët e pavaksinuar.

“Ne nuk mund të aplikojmë vaksinimin e detyrueshëm, nuk është askund në botë. Pra, ne duhet të mendojmë për disa zgjidhje alternative, për shembull pjesëmarrja në ngjarje me frekuentim masiv – qoftë brenda, qoftë jashtë, qoftë në kinema – vetëm me një certifikatë [të vaksinimit] dhe kjo është diçka që mund ta rekomandojmë nga muajt e vjeshtës”, ka thënë Filipçe./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme