Kurti vizitoi komunat e Mamushës dhe Rahovecit, premton se do iu qëndrojë afër

19:24 | 23 Prill 2020
Arbresh.info

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi sot vizitat në komunat e Kosovës.

Kësaj radhe ai, bashkë me ministren në detyrë të Administrimit të Pushtet Lokal, Emilija Redzepi dhe deputeten e komunitetit turk, Fidan Brina Jilta fillimisht vizitoi komunën e Mamushës, ku u mirëprit nga Kryetari i Komunës, Abdülhadi Krasniç. Më pastaj nga aty, bashkë me ministren në detyrë, znj. Redzepi vizituan Komunën e Rahovecit ku u takuan me kryetarin e kësaj komune Smajl Latifi.

Në ditën e festës së komunitetit turk në Kosovë, 100 vjetorin e sovranitetit kombëtar të shtetit të Turqisë dhe festës së fëmijëve atje, Kryeministri Kurti vizitoi Komunën e Mamushës ku u prit nga Kryetari i kësaj Komune, Krasniç. Shumica e banorëve të komunës të cilën Krasniç e drejton i përkasin komunetit turk në Kosovë, përkatësisht 95%. Kjo komunë shquhet për veprimtaritë e saj bujqësore, për çka edhe njihet si “hambari i Kosovës”. Përpos shembullit të veprimtarive bujqësore, Komuna e Mamushës është edhe shembull në menaxhimin e situatës me pandeminë. Kjo komunë vazhdon të mos ketë asnjë rast të konfirmuar me COVID-19. Sipas Kryetarit Krasniç, komuna dhe qytetarët kanë zbatuar me përpikëri vendimet e Qeverisë.

Rahoveci në anën tjetër po ashtu është shembull për menaxhimin e mirë me COVID-19. Në takimin me Kryeministrin në detyrë Kurti, Kryetari i Komunës së Rahovcit, Smajl Latifi e njoftoi atë mbi gjitha veprimet që komuna ka marrë me qëllim të parandalimit të infektimit me virusin Corona. Këto masa kanë rezultuar të suksesshme duke qenë se Rahoveci deri më tani ka vetëm një të infektuar. Komuna ka themeluar Shtabin e Posaçëm Emergjent dhe nën shtabet në fshatra dhe lagje, po bën dezinfektimin e vazhdueshëm të objekteve publike, rrugëve, rrugicave si në fshatra ashtu edhe në lagje të komunave, dhe iu është përgjigjur menjëherë të gjitha masave dhe vendimeve të Qeverisë.

Kryeministri në detyrë, Kurti, u premtoi se Qeveria në detyrë e Kosovës do të jetë afër komunave, dhe në të njëjtën kohë i ftoi ato të vazhdojnë me respektimin e masave të qeverisë dhe këshillave të ekspertëve shëndetësorë ashtu që ta kalojmë këtë sfidë sa më parë dhe sa më lehtë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme