Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar të premten se gjatë muajit mars mund të tejkalohen të gjitha kapacitetet spitalore, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në javët e fundit.
Gjatë takimit të Komitetit për menaxhim të pandemisë së koronavirusit, Krasniqi ka thënë se vetëm gjatë tre javëve të fundit, ka pasur rritje prej 66 për qind të pacientëve që janë hospitalizuar. Ai ka njoftuar se aktualisht janë 798 pacientë të shtrirë në klinikat rajonale dhe në ato të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
“Nëse vazhdon ky trend i rritjes e të hospitalizuarve, mbase brenda muajit mars do të tejkalohen kapacitetet e planifikuara”, ka deklaruar ai.
Krasniqi u bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe ekzekutivit që të bëjnë planifikime për rritjen e numrit të shtretërve dhe kapaciteteve të tjera.
“Gjendemi para një situate ku shumë shpejt spitalet tona nuk do të mund të përballojnë fluksin e pacientëve që do të kërkojnë trajtim spitalor”, ka thënë mes tjerash ai.
Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nëse vazhdohet me mbingarkesën e spitaleve, do të ketë vështirësi të menaxhimit të rasteve klinike.
“Mbingarkesa që është tash në SHSKUK, për një kohë të shkurtër, nëse vazhdon kështu, do të jetë e papërballueshme dhe profesionistët shëndetësorë do të përballen me situata të vështira të menaxhimit të rasteve spitalore”, ka thënë Zemaj.
Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani ka thënë se vetëm në dy javët e fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve të reja për 27.6 për qind, duke shtuar se mesatarisht brenda një dite janë raportuar 619 infektime të reja dhe tetë të vdekur.
“Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri, por ky normalitet paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, distancën e maskën”, ka porositur Ramadani.
Të premten, më 19 mars, Kosova ka regjistruar numrin më të lartë të infektimeve ditore gjatë vitit 2021, përkatësisht 828 raste të reja.
Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 80.621 raste të infektimit.
Prej tyre 1.744 pacientë kanë vdekur./rel/
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...
ASHAK zgjedh anëtarët e rinj
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...