Google ADS

Jeta pas pandemisë: Shtrenjtohet mobilimi i shtëpive, por njerëzit nuk “pyesin”

00:28 | 26 Prill 2022
Trina Galanxhi

Shtimi i apartamenteve në Tiranë si dhe ngritja e strukturave të hotelerisë në vend, rriti kërkesat për lëndë drusore.

Edhe pse mobilimi i një apartamenti shqiptarëve sot i kushton 33% më shtrenjtë së në vitin 2020, përsëri kërkesat janë të mëdha.

“Nga eksperienca ime 12-vjeçare si arkitekt konkludojmë që një apartament 100 metra katrorë, pa përfshirë vetratat, pllakat, sistemin elektrik-hidraulik dhe aksesorët, por vetëm mobilimin më parë kushtonte 12 mijë euro. Ndërsa sot pas pandemisë i njëjti apartament kushton në vlerën e 16 mijë eurove”, thotë arkitekti Enea Stavre.

Pandemia e Covid 19 nuk izoloi vetëm njerëzit, por edhe ekonominë. Gjatë kësaj periudhe, industria e ndërtimit dhe ajo e drurit e ndërprenë aktivitetin e tyre. Por pas një periudhë 2-vjeçare, ne iu rikthyem sërish jetës së mëparshme, por me një ndryshim kësaj here, kërkesa për mobilje është më e lartë se sa ofron tregu.

“Pas-pandemia solli një rritje të kërkesës të tregut të ndërtimit në të gjithë Europën. Duke qenë se kompanitë e mëdha të cilët janë importuesit e lëndës së parë kanë kontrata me vendet e zhvilluara të Europës ato e shohin si më fitimprurëse të kenë kontrata me këto vende se sa të kenë kontrata afatgjata me vende si Shqipëria, ku ne konsiderohemi si një treg i vogël”, thotë ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Shqipëria është një vend i varur nga importi për sa i përket lëndës së parë të mobilimit. Megjithatë përveç faktit që kemi rritje të çmimit të lëndës së parë, kemi dhe rritje të kostove të transportit, këto dy faktorë ndikojnë në rritjen e çmimeve në sektorin e mobilimit. Pavarësisht kësaj, shqiptarët kërkojnë më tepër mobilje.

“Kemi shumë kërkesa dhe kjo bën që një projekt të mos dorëzohet kurrë në kohë”, shprehet arkitekti./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme