IKSHPK me apel për qytetarët: Qëndroni në shtëpi dhe dilni vetëm për nevoja të domosdoshme

20:44 | 21 Shkurt 2021
V. S.

Pavarësisht se rreziku vazhdonte të ishte mjaftë i lartë, subjekteve politike nuk iu bë vonë dhe vazhduan organizimin e fushatës elektorale sikur të mos ekzistonte virusi COVID-19.

Por siç duket mbledhja e qytetarëve në këto tubime elektorale ka ndikuar që tashmë të nis edhe rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus.

Në 24 orëshin e fundit Institutit Kombëtarë Shëndetësorë Publik i Kosovës ka konfirmuar 398 raste të reja me këtë virus.

Reagimi i plotë:

Andaj rekomandojmë edhe një herë:

Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
Ndalimi rigoroz i tubimeve;
Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Qytetarë të nderuar,

Ju lutemi për kujdes të shtuar!

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:

Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Mbani në mend:

FYTYRA E MBULUAR ME MASKË! DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën!

Respektoni distancën!./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme