Përmes protestave e grevave, punëtorët shëndetësorë e ata teknikë, gjatë këtij viti kanë kërkuar tu plotësohen kërkesat e tyre të cilat lidhen me rritje të pagave. Përkundër që disa herë iu premtua rritje, ata do të hyjnë në vitin e ardhshëm të pakënaqur me pagat që kanë. Aq më shumë, mospërfshirja e kërkesave të infermierëve e punëtorëve teknikë në buxhetin për vitin 2021, pritet të nxitë edhe më shumë reagime.
Edhe në vitin 2021 pritet të kemi greva e protesta në institucionet publike shëndetësore në vend. Punëtorët shëndetësore e ata teknikë nuk duan falënderime e premtime, ata duan që të plotësohen kërkesat e tyre për shtesa e rritje të pagave për punën që po bëjnë.
Edhe pse shprehen skeptikë që shëndetësia do të jetë prioritet për Qeverinë e ardhshme, ata thonë se do të marrin masa në rast se kërkesat e tyre do të mbesin të parealizuara.
Tashmë miratimi i buxhetit 2021 ka zhgënjyer infermierët e punëtorët teknik.
Ndërsa, pjesa tjetër e punëtorëve shëndetësorë po presin miratimin e Ligjit për Paga.
Në rast se ky Ligj nuk do të miratohet, atëherë punëtorët shëndetësorë pakënaqësitë e tyre pritet t’i shprehin ndryshe.
Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për Express, se miratimi i Buxhetit për vitin 2021 ka qenë vendim i duhur.
Ai është shprehur se po presin që ai të hyj në fuqi në mënyrë që të shohin nëse janë paraparë shtesa për punëtorët shëndetësorë.
“Është mirë që ka kaluar buxheti për vitin e ardhshëm. Ne kemi kërkuar shtesa për personelin shëndetësorë dhe po presim që ai të hyj në fuqi dhe punëtorët shëndetësorë të marrin shtesa për punën e tyre, shtesa të cilat i kanë kërkuar që një kohë”, ka thënë ai.
Syla ka thënë se këto shtesa duhet të vlejnë deri në përfundim të pandemisë COVID-19, e deri në miratim të Ligjit për Paga në Sektorin Publik.
Ai ka thënë se do të insistojnë e do të bëjnë presion vazhdimisht që Ligji për Paga të miratohet.
“Punëtorët Shëndetësorë duhet të marrin shtesa siç kanë marrë deri tani derisa të kryhet pandemia e derisa të miratohet Ligji për Paga. Ne nuk kërkojmë lëmoshë. Ne do të bëjmë presion vazhdimisht e do të ndërmarrim veprime derisa të miratohet ligji”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, të pakënaqur me pagat që kanë janë edhe infermierët.
Në buxhetin e vitit 2021 nuk janë përfshirë kërkesat e tyre për rritje të pagesës për ndërrime nga 18 euro në 36 euro.
E për mosrealizim të kërkesave të tyre, infermieri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku, për më shumë se 20 ditë ka hyrë në grevë urie.
Ai kishte deklaruar se grevën nuk do ta ndërpres deri në realizim të kërkesave të tyre ose deri në vdekje.
Ndërsa, ma mirë punët nuk i kanë as punëtorët teknikë. Edhe ata më 14 dhjetor kishin hyrë në grevë për shkak të mosrealizimit të kërkesave për shtesa në paga.
Kjo grevë tashmë është ndërprerë deri më 6 janar për shkak të festave.
Përkundër që ministri Zemaj u kishte premtuar zgjidhje, as ai e as kryeministri Hoti nuk u janë përgjigjur më punëtorëve teknikë.
Kësisoj këta të fundit kanë vendosur që mos të kontaktojnë më me ta dhe ta padisin ministrin Zemaj.
Kryetari i Sindikatës se Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë për Express se më 6 janar do të mblidhen dhe do të vendosin për masat që do t’i marrin.
Ai ka thënë se edhe pse ministri Zemaj u kishte premtuar zgjidhje, ai as nuk u është përgjigjur më atyre.
“Greva është pezulluar deri më 6 janar. Me 6 janar do të ulemi dhe do të vendosim nëse do të ketë greva. Ne nuk po kërkojmë më të takohemi me ministrin e Shëndetësisë. Ata nuk na u janë përgjigjur dhe tashmë jemi drejtuar në rrugë ligjore dhe po presim përgjigje pasi edhe ne kemi punuar dhe na takojnë shtesat”, ka thënë ai.
Azemi ka thënë se me që kërkesat e tyre që të ndahen 80 mijë euro për punëtorët teknikë nuk janë pranuar, ata tashmë po kërkojnë rreth 560 mijë euro, apo 700 euro për secilin punëtorë teknikë.
“Me që ne jemi pajtuar me ministrin që së paku 80 mijë euro të ndahen si pjesë e parë për këta punëtorë, me që ata nuk e kanë bërë këtë, kërkesa jonë tani është që nga qershori deri në fund të këtij viti pagesa të jetë për secilin punëtorë 700 euro, që diku e kap shumën rreth 560 mijë euro. Pasi zgjidhjen e parë nuk e deshën ne jemi të obliguar të kërkojmë të drejtën tonë përmes gjyqit”, ka shtuar ai.
Derisa gjatë vitit 2020 u ndërmorën veprime sindikale, si protesta e greva, një gjendje e njëjtë do të jetë edhe gjatë vitit 2021.
Përkundër pandemisë, në rast të mosplotësimit të kërkesave për rritje të pagave, këta punëtorë do të ndërmarrin masa tjera.
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...