Gjermania drejt një bllokimi edhe më të rreptë

15:43 | 22 Mars 2021
V. S.

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të bisedojë sot me kryeministrat e landeve për të parë mundësinë e një kthimi edhe më të rreptë të bllokimeve antiCovid-19, në ndërkohë kur vendi po përjeton shifra të larta me infeksionin e koronavirusit.

Pavarësisht nga shpresat për më shumë relaksime bllokimi për fundjavën e festave të Pashkëve, e cila bie në fillim të prillit të këtij viti, Gjermania ka të ngjarë të ndalojë planet e saj për rihapje pasi incidenca shtatëditore e infeksioneve të reja u rrit në ditët e fundit.

Zyrtarët më parë ranë dakord të përdorin një “frenim emergjence” dhe të rinovojnë kufizimet nëse numri i infeksioneve të reja për 100 000 banorë gjatë një jave tejkalon pragun 100 për tri ditë rresht, raporton ATSh.

Të dielën, kjo shifër e incidencës shtatëditore u rrit në 103.9.

Sot, Instituti Robert Koch për kontrollin e sëmundjeve njoftoi se 7 709 infeksione të reja me koronavirus dhe 50 vdekje brenda 24 orëve të fundit.

“Tani jemi në atë që është ndoshta faza më kritike e pandemisë”, tha Ralph Brinkhaus, kreu i grupit parlamentar konservator të CDU.

“Frenimi emergjent, i rënë dakord në fillim të marsit, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe pa përjashtim”, theksoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme