Foshnjat e lindura nga nënat që janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit gjatë shtatzënisë kishin rreth 60 për qind më pak gjasa për t’u shtruar në spital për shkak të simptomave të rënda të Covid, sipas një studimi të ri të publikuar të martën nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (QKP).
Ky efekt mendohej se ekzistonte – për shkak të transferimit të antitrupave përmes placentës gjatë shtatzënisë dhe përmes qumështit të gjirit pas lindjes – por nuk ishte provuar ndonjëherë më parë nga të dhëna të sakta nga bota reale.
QKP kreu një studim që përfshinte 379 foshnja të moshës deri në gjashtë muajshe, të cilat ishin shtruar në 20 qendra pediatrike nga korriku i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022.
Autorët studiuan mundësitë e vaksinimit kundër Covid-19 te nënat, foshnjat e të cilave u shtruan në spital për shkak të Covid (176 foshnja) krahasuar me mundësitë e vaksinimit te nënat, foshnjat e të cilave u shtruan në spital për arsye të tjera që nuk lidheshin me Covid (203 foshnja), që përbënin grupin e kontrollit.
Kjo është një metodë statistikore që përdoret në studimet e botës reale për të ekzaminuar pacientë me karakteristika të ngjashme dhe shpesh përdoret kur nuk është e mundur që të kryhet një provë klinike rastësore.
“Foshnjat më të vogla se gjashtë muajshe, që e kishin nënën e tyre të vaksinuar, kishin 61 për qind më pak gjasa që të shtroheshin në spital me Covid-19”, tha studiuesja e QKP, Dana Meaney-Delman.
Për më tepër, 84 për qind e foshnjave që ishin shtruar në spital me Covid kishin lindur nga nëna të pavaksinuara gjatë shtatzënisë. Foshnja e vetme që humbi jetën në këtë studim kishte lindur nga një nënë e cila nuk ishte e vaksinuar.
“Përfundimi është se vaksinimi i nënave në shtatzëni është një mënyrë vërtet e rëndësishme për të ndihmuar në mbrojtjen e këtyre foshnjave të vogla,” tha Meaney-Delman.
Studimi zbuloi githashtu se marrja e dy dozave të vaksinës në një periudhe të mëvonshme të shtatzënisë kishte efekt më të madh mbrojtës se marrja e tyre në fillim të shtatzënisë — 80 përqind krahasuar me 32 përqind.
Edhe pse kjo është në përputhje me atë që dihet për zvogëlimin e niveleve të antitrupave në muajt që vijnë pas vaksinimit, Meaney-Delman tha se ishte e rëndësishme që njerëzit të vaksinohen në çdo fazë të shtatzënisë, në mënyrë që të mbrohet edhe nëna, edhe foshnja.
“Nëse flasim për një grua që është vaksinuar që në tremujorin e parë të shtatzënisë, ajo mund të marrë një dozë përforcuese më vonë,” tha ajo, por shtoi se ishte akoma herët që agjencia të rekomandonte marrjen e dozave përforcuese posaçërisht për gratë shtatzëna.
Një ndër kufizimet e këtij studimi ishte se ai filloi gjatë fazës së hershme të përhapjes së vaksinave dhe nuk përfshinte nënat që ishin vaksinuar që përpara shtatzënisë.
Kjo mund të jetë një temë që duhet vlerësuar në të ardhmen, shkruajnë autorët e studimit./ France 24/monitor.al/
Hamza takon ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, diskutojnë për ...
Shkup: Partitë shqiptare vazhdojnë përplasjet për Ligjin e g...
SPAK njoftim zyrtar për Erion Veliajn, i përgjigjet për kall...
Drenusha e nevrikosur me Gjestin, shkak qasja e tij ndaj Xhe...
Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet p...
Ukraina dërgon 500 tonë miell në Siri