Filipçe: Kapaciteti i vaksinimit arrin në 880 persona në ditë

06:49 | 10 Shkurt 2021
V. S.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, theksoi se 880 njerëz në ditë do të vaksinohen në të gjitha poliklinikat e Shkupit dhe afër 500 persona shtesë në pikën e kontrollit në qendrën klinike në Shkup.

Ministri Filipçe vizitoi Poliklinikën e Bit Pazarit, ku janë vendosur frigoriferët dhe do të ruhen vaksinat kundër COVID-19, ndërsa më pas dha deklaratë për mediat, ku u përqendrua në procesin e vaksinimit.

Duke theksuar se të shtatë poliklinikat në Shkup do të jenë aktive për procesin e vaksinimit, ministri Filipçe tha se pikat e vaksinimit në poliklinika do të funksionojnë në dy ndërrime.

“Kapaciteti i vaksinimit në ditë është 880 persona, këtu në të gjitha poliklinikat në qendrën shëndetësore në Shkup, dhe afër 500 shtesë në pikën në qendrën klinike në Shkup. Deri më tani janë paraqitur 4.000 punonjës shëndetësorë, nga të cilët rreth 2.000 janë në Shkup, pjesa tjetër janë në qytetet e tjera”, tha Filipçe.

Filipçe po ashtu theksoi se nga nesër do të lëshohet në përdorim faqja e internetit për paraqitjen e vaksinimit dhe se në faqe do të mund të paraqitet çdokush, ndërsa sistemi automatikisht do t’i gjenerojë prioritetet.

Mes tjerash, ai deklaroi se data e saktë kur vaksinat do të mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut do të dihet për një kohë të shkurtër.

Duke deklaruar se varianti britanik i virusit është zbuluar në vend, ministri Filipçe tha se dje ka pasur një takim me ambasadoren britanike, ku kanë shkëmbyer përvojat në lidhje me mënyrën se si filloi vala e fortë e infeksionit në Britani dhe cilat masa janë ndërmarrë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dje nënshkroi marrëveshjen për furnizimin me vaksinat kundër COVID-19 nga prodhuesi kinez “Sinopharm”.

Me marrëveshjen, Republika e Maqedonisë së Veriut siguron 200.000 vaksina nga kompania kineze.//AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme