Gjiganti teknologjik, Facebook, ka fshirë një mori të llogarive nga Rusia, të cilat kanë qenë të lidhura me një kompani të marketingut, e cila synonte të nxiste persona me ndikim, për të shtyrë përpara përmbajtje kundër vaksinimit ndaj COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Ky rrjet social ka thënë se ka bllokuar llogaritë e lidhura me Fazze, degë e kompanisë së marketingut të regjistruar në Mbretëri të Bashkuar, AdNow, e cila kryesisht vepron në Rusi, për shkelje të politikave kundër ndërhyrjes së huaj.
Facebook ka thënë se fushata ka shfrytëzuar platformat për të shënjestruar audiencat në Indi, Amerikë Latine, si dhe pjesërisht edhe në Shtetet e Bashkuara.
Hulumtuesit e kompanisë e kanë konsideruar fushatën si “lavanderi dezinformatash”, përmes së cilës janë krijuar artikuj mashtrues dhe peticione nëpër forume si Reddit, Medium dhe Change.org, si dhe janë krijuar llogari të rreme në platformat si Facebook dhe Instagram për të përforcuar përmbajtjen.
Facebook ka thënë se pjesa më e madhe e fushatës është zgjeruar përmes personave të paguar dhe se këto postime kanë fituar “vëmendje të kufizuar”.
Pretendimet e rreme dhe teoritë konspirative për COVID-19 dhe vaksinat kundër sëmundjes, janë përhapur përgjatë disa muajve në rrjete sociale.
Kompanitë si Facebook janë kritikuar nga ligjvënësit amerikanë dhe administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, të cilët thonë se përhapja e gënjeshtrave online për vaksina është duke e bërë më të vështirë luftën kundër pandemisë.
Facebook ka thënë se operacionet e lidhura me Rusinë kanë nisur fillimisht përmes krijimit të llogarive të rreme më 2020, të cilat janë dukur kinse janë krijuar në Indi, mirëpo bazën e kanë pasur në Bangladesh dhe Pakistan.
Ky rrjet ka publikuar animacione dhe komente në platformat e tij në nëntor dhe dhjetor të vitit 2020 duke pretenduar se vaksinat e kompanisë AstraZeneca do të shndërrojnë njeriun në shimpanze dhe duke përdorur skenat e filmit “Planet of the Apes” të vitit 1968.
Bashkë me këtë fushatë, Facebook ka thënë se edhe një numër i personave me ndikim nga fusha e shëndetit dhe mirëqenies kanë përdorur thurjet në Instagram dhe peticionet e fushatës.
Facebook ka thënë se fushata ka qenë pjesë e taktikave për të përfshirë persona me ndikim.
Kjo kompani ka thënë se në maj të vitit 2021, pas pesë muajve të mungesës së aktivitetit, operacionet kanë nisur sërish duke hedhur dyshime për vaksinën e kompanisë Pfizer, duke shtyrë përpara dokumente të kompanisë AstraZeneca, që kinse janë “hakuar dhe kanë rrjedhur në publik”.
Hulumtuesit në Facebook kanë thënë se dy fazat e aktivitetit janë vërejtur në periudhën kur shumë qeveri kanë diskutuar mundësitë e autorizimeve emegjente për përdorim të vaksinës.
Sipas raportimeve në media, Fazee ka kontaktuar personat me ndikim në YouTube, Instagram dhe TikTok në disa shtete dhe u ka kërkuar që të shtyjnë përpara përmbajtjen kundër vaksinave në këmbim të pagesave, mirëpo dy persona të tillë me ndikim nga Franca dhe Gjermania, kanë bërë publike fushatën më herët gjatë këtij viti, duke nxitur kërkime ndaj kompanisë.
AdNow nuk i është përgjigjur agjencisë së lajmeve, Reuters në kërkesën për koment.
Facebook ka thënë se ka bllokuar 65 llogari në këtë platformë dhe 243 llogari në Instagram, në kuadër të operacionit të lidhur me Fazze. Kjo kompani ka thënë se 24.000 llogari kanë përcjellur njërën prej llogarive tashmë të bllokuara në Instagram.
Vetë Facebook ka thënë se ende nuk ka përgjigje rreth asaj se kush e ka porositur degën Fazze për ta kryer këtë fushatë.
Facebook ka thënë në raportin e publikuar të martën se ka bllokuar dhe fshirë edhe një tjetër rrjet në Mianmar të njohur edhe si Burma, në të cilin janë të përfshirë persona të lidhur me ushtrinë e Mianmarit.
Gjiganti teknologjik ka thënë se ky rrjet ka shfrytëzuar llogari të kopjuara dhe të rreme, disa duke u paraqitur si protestues e disa si pjesëtarë të opozitës, ndërkohë që ka pasur edhe faqe pro-ushtrisë.
Ky rrjet social ka bllokuar ushtrinë e Mianmarit nga qasja në Facebook dhe Instagram, pas puçit përmes së cilit ushtria ka fituar kontrollin në këtë shtet më 1 shkurt të këtij viti.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...