Covid mund të shkaktojë tkurrje të trurit, thonë shkencëtarët anglezë

08:58 | 8 Mars 2022
Trina Galanxhi

Covid-19 mund të shkaktojë tkurrjen e trurit, të zvogëlojë lëndën gri në rajonet që kontrollojnë emocionet dhe kujtesën dhe të dëmtojë zonat që kontrollojnë shqisën e nuhatjes, ka gjetur një studim nga Universiteti i Oksfordit.

Shkencëtarët thanë se efektet u panë edhe te njerëzit që nuk ishin shtruar në spital me Covid, transmeton portal arbresh.info

“Ka prova të forta për anomalitë e lidhura me trurin tek njerëzit që kanë qenë të infektuar me Covid”, thanë studiuesit.

Edhe në raste të lehta, pjesëmarrësit në hulumtim treguan “një përkeqësim të funksionit ekzekutiv” përgjegjës për fokusin dhe organizimin, dhe mesatarisht madhësia e trurit u tkurr midis 0.2 dhe 2 për qind.

Studimi i rishikuar nga kolegët, i botuar në revistën Nature, hetoi ndryshimet e trurit në 785 pjesëmarrës të moshës 51 deri në 81 vjeç, truri i të cilëve u skanua dy herë, duke përfshirë 401 njerëz që u infektuan me Covid.

Studimi u krye kur varianti Alfa ishte dominues në Britani dhe nuk ka gjasa të përfshijë ndonjë të infektuar me variantin Delta.

Studimi ka gjetur se njerëzit e infektuar nga Covid vuajtën nga “mjegulla e trurit” ose turbullira mendore që përfshin dëmtim të vëmendjes, përqendrimit, shpejtësisë së përpunimit të informacionit dhe kujtesës.

Studiuesit nuk thanë nëse vaksinimi kundër Covid kishte ndonjë ndikim në gjendjen, por Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Britani të Madhe ka theksuar se ka rishikuar 15 studime dhe zbuloi se njerëzit e vaksinuar kishin më pak rrezik që të zhvillonin simptoma të tkurrjes së trurit, në krahasim me të pavaksinuarit./arbresh.info/

Të ngjashme