Sot, është dita e 21-të që jam izoluar në banesë me familjen time, burrin, dy fëmijët njëri pesë vjeçar, e tjetri 20 muajsh.
Po respektojmë së pari vetëveten, e më pas rregullat të cilat dalin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe institucionet përkatëse.
Ishte fundviti 2019 kur dëgjova për herë të parë diçka si virusi Corona në Kinë ose Covid 19, por nuk mund ta imagjinoja se një i tillë do të bëhej virus me përmasa të tilla që do ta përfshinte tërë globin madje edhe Republikën e Kosovës tonë të vogël e diku në të edhe mua dhe familjen time së bashku me mbi tetë mijë të infektuar.
Nuk është aspak grip i zakonshëm (qytetarët), nuk është madje as propagandë (partitë politike) ose diçka që nuk ekziston (këngëtarët).
Ekziston madje bënë dëme gogja të mëdha, flas nga provoja ime dhe ajo çfar kam parë dhe përjetuar.
Dyfishonte dhimbjet fakti se edhe më të vegjlit e mi po i përjetojnë simptomat, duke më shtuar ankthin se do të kenë vështirësitë që pata dhe frikës se si do të mbrrijmë t’i mbijetojmë.
Kam 32 vjet jetë dhe sa mbaj mend asnjë herë nuk isha sprovuar me diçka të tillë. Simptoma të një pas njëshme duke ndryshuar çdo ditë fizikun tim, psikologjinë time, e çdo gjë nga personaliteti im.
Në fillim ethe e temperaturë krejt e zakonshme, por që fillojnë e bëhen të bezdisshme, më pas kalon në diarre e cila për 24 orë të bën të ndihesh sikur ske fuqi për asgjë.
Ende pa u stabilizuar nga kjo fillon kokëdhimbje për 72 orë të vazhdueshme që nuk i ndalon asnjë ilaç, madje aq e rëndë sa nuk mund të flesh e as të rrish zgjuar. Vinë dit tjera me shpresë se ky është vetëm grip i zakonshëm, por çdo gjë kalon kufijtë kur zgjohesh në një mëngjes pothuajse e ngulfatur me kollitje të thatë që ta grryen frytin, e një kohësisht shtrëngon kokën e dëmton mushkritë, të cilat tashmë ishin përfshirë nga një ftohje si pasojë e virusit Corona që kishte bllokuar rrugët e frymëmarrjes, oksigjeni e fryma tashmë nuk mjaftonin.
Ishte shumë e dhimbshme ta shihje vetën në një gjendje të tillë ku çdo fjalë që flisje rrezikonte më shumë frymarrjen dhe kollitja tashmë ishte e vazhdueshme. Të heshtësh dhe ta menagjosh stresin ishte zgjidhje adekuate për momentin.
Krejt këto vështirësi filluan të normalizoheshin fal punës profesionale të mjekëve-teknikëve të FSK-së dhe kujdesit të tyre 24/7 duke mos përjashtuar edhe mjekët e Klinikës së Polmologjisë.
Ju që po e lexoni këtë tekst, ta dini se kjo që po shkruaj nuk është shkrim stilistik, e as përdorim i figurave stilistike, por një realitet në të cilin jetova ditë të vështira si për mua, bashkëshortin dhe fëmijët (5 vjet, dhe 20 muajsh) të cilët çdo dit e vuanin mungesën time, madje djali i madh dyshonte se nuk e doja si më parë sepse nuk kisha mundësi ta përqafoja, ushqeja, pastroja… më e vështira ta vija në gjum.
Askujt gjatë kësaj periudhe të vetë izolimit nuk i interesonte për gjërat esenciale që më duheshin mua dhe familjes sime, inspektoriatit i interesonte vetëm se a jemi duke i rrespektuar rregullat e izolimit, e sipas tyre ushqimin dhe gjërat esenciale duhet të na sjellte familja e dytë sepse ata ndiheshin të rrezikuar ta bënin një gjë të tillë, çuditërisht familja e dytë nuk rrezikohej nga ky virus.
Ju që ende keni kohë për tu vetëdijesuar dhe për të besuar një realitet të hidhur, por të vërtetë, bëhuni mjek të vetës suaj, policë e ushtarë të familjes suaj, le të jetë shtëpia juaj vend qëndrimi juaj sepse nuk ka më mirë se n’shpi.
Vendosni maskat, mbajeni distancën, mbajeni higjenën, kështu mbroni veten, familjen, shoqërinë, mbi gjitha ua zvogëloni mundin e djersën mantilbardhëve, farmacistëve, policëve, ushtarëve, medieve që tashmë nuk dinë çka është pushimi. Derisa ne protestojmë për festa e ahengje sikur mes nesh spo ndodh asgjë, më mirë do ishte t’i respektojmë rregullat e OBSH-së e të jemi të ndërgjegjshëm, se mjekët tonë po e bëjnë të pamundurën për t’na mjekuar nga një virus që ende nuk ka ilaq. Ata nuk kanë kohë për të darkuar me familjet e tyre, ahengjet e festat për ta tashmë janë lluks, ndërsa pushimet i bëjnë nëpër korridore e dhoma intensive.
T’i mendojmë infermierët, farmacistët e puntorët e medieve, të cilët i kanë dyfishuar oraret e tyrë në të mirën tonën.
Para përmbylljes, kam edhe diçka për të shtuar e ky është mentaliteti i ulët i njerëzve, të cilët ende mendojnë se të tregosh që je i infektuar me virusin Corona është “marre-turp” madje ka pasur raste kur më telefononin për t’më thënë “mos e ba të madhe, thuaj grip”.
Të nderuar qytetarë nuk është grip, por virus i cili dëmton shumicën e organeve dhe vështirëson jetën deri në fatalitet. Unë pavarësisht masave mbrojtëse diku në përditshmërinë time, si respektova ato pa vetëdije, sot po i vuaj pasojat duke qëndruar e mbyllur madje edhe në festën time të preferuar, duke mu mohuar e drejta për t’i parë prindërit e mi e për të qenë pjesëmarrëse në dasmën e vëllait.
Nëse nuk dëshironi të jeni pjesë e këtij realiteti REFLEKTONI sepse shteti nuk është fajtor për ne, por ne për vetën. Lus Zotin që të shërohen të infektuarit dhe të gjendet sa më parë ilaçi i këtij virusi, ngushëllime për familjet e atyre që tashmë nuk janë, e sherim për të infektuarit. Respektoni masat për të mirën tuaj!
(Liridonë Gashi Berisha është nënoficer në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Është e diplomuar në nivelin master në programin Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”)