Google ADS

Bizneset nuk ishin të përgatitura për të siguruar masat për mbrojtje nga Covid-19

19:36 | 18 Qershor 2020
Arbresh.info

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi tha se bizneset, për të siguruar masat mbrojtëse, siç është distanca fizike, do të duhet të kenë edhe mbështetjen e shtetit për humbjet që shkaktohen nga rënia e aktivitetit ekonomik.

“Lirimi i masave kufizuese u bë, por rregullat strikte të paracaktuara nuk u zbatuan për dy arsye: e para ose nuk janë dhënë të sakta kufizimet p.sh te restorantet nuk është bërë e ditur sesa duhet të jetë distanca. Sot kemi tavolinat e restoranteve në ato vende siç kanë qenë para pandemisë, nuk është krijuar distanca, dhe e dyta shteti nuk ka ofruar mbështetje për këto goditje që do t’i ketë biznesi nga zvogëlimi i të hyrave”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë,

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka publikuar manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit gjatë kësaj jave, edhe pse lehtësimi i masave kufizuese ka filluar shumë kohë më parë.

Ky manual i përkohshëm përmban udhëzime për masat mbrojtjeve nga Covid-19 në vende të punës, në mjedise jomjekësore, në qendrat tregtare dhe gastronomi dhe vende të tjera.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në mbledhjen e fundit të qeverisë ka kërkuar nga të gjitha institucionet publike dhe sektori privat që të respektojnë manualin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Neve na duhet që në rrugë t’i shohim inspektorët shëndetësorë që marrin masa përkatëse në ndërmarrjet publike, private, në biznese, kafiteri, çdokund”, ka thënë kryeministri Hoti në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar së fundmi Ministrinë e Shëndetësisë për mbylljen sektorëve ku ka raste pozitive, derisa ka kërkuar që të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim.

Kosova, rastet e para me koronavirus i ka shënuar më 13 mars.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme