Basha: Rama merret vetëm me propagandë, ka humbur kontrollin mbi pandeminë

12:16 | 10 Nëntor 2020
Arbresh.info

Sipas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pamjet e publikuara nga kryeministri Rama të spitalit COVID 3 janë propagandë.

Ai ngre pyetjen se nëse ka shtretër bosh, atëherë përse të sëmurët sipas tij trajtohen në ambulanca.

Në një postim në Facebook, Basha deklaron se Rama ka humbur kontrollin e pandemisë dhe për këtë arsye sipas tij qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga covid dhe infeksionet po rriten përditë.

Basha akuzon qeverinë dhe kryeministrin për mungesën e një plani dhe për fshehje të shifrave reale të viktimave dhe të të infektuarve nga koronavirusi.

Në fund të postimit të tij, kreu i opozitës shkruan se me fitoren në zgjedhje do të sjellë shpresën për të ardhmen që dëshiron çdo shqiptar.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Siç ka bërë këto 8 vjet, Rama merret vetëm me propagandë. Po të kishte shpenzuar 10% të kohës që kalon në instagram, për të bërë detyrën e kryeministrit, sot nuk do të ishim në këtë gjendje. Ai e ka humbur kontrollin mbi pandeminë. Për faj të tij qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga covid dhe infeksionet po rriten përditë.

Rama nuk ka asnjë plan për të ndihmuar njerëzit. Spitalet, mjekët e infermierët janë të mbingarkuar dhe pacientët dergjen me orë të tëra në ambulanca. Qeveria fsheh shifrat reale të viktimave dhe të të infektuarve. Numri i testimeve është më i ulëti në Europë, njerëzit presin me javë për përgjigjen dhe fatura e barnave dhe trajtimit është e papërballueshme.

Rama gënjen sepse nuk mori asnjë masë për t’u përballur me valën e dytë. Ai gënjen sepse edhe në kohë pandemie i çoi paratë e taksave të shqiptarëve për koncesione dhe tendera të miqve e tij. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve.

Së bashku kemi forcën për ta mposhtur këtë të keqe, dhe për të sjellë shpresën dhe të ardhmen që dëshiron çdo shqiptar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme