Google ADS

Banka Evropiane e Investimeve në mbështje të Shqipërisë

19:30 | 2 Prill 2021
Arbresh.info

Banka Evropiane e Investimeve ofron mbështetjen e saj në sektorë të rëndësishëm të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perendimor që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi i saj për Ballkanin Perendimor, Alessandro Bragonzi thotë se kjo bankë në bashkëpunim me BE-në po punon për të lehtësuar pasojat e pandemisë duke rritur investimet, sidomos tek ndërmarrjet e mesme dhe të vogla që janë shtylla të ekonomive së tyre.

Banka Evropiane e Investimeve, krahu financues i Bashkimit Evropian ka në fokus të investimeve të saj, përparësitë e bllokut për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në të.

“Shqipëria është padyshim pjesë e planeve të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Transporti, diversifikimi i burimeve të energjisë, përmirësimi i efikasitetit të rrjeteve ekzistuese por edhe mbrojtja e mjedisit dhe furnizimi me ujë të pijshëm janë përparësitë tona”.

Me krizën e COVID-19 që ka goditur ekonominë, Banka Evropiane e Investimeve po ju vjen në ndihmë vendeve të rajonit për të përballuar pasojat duke e përqëndruar mbështetjen e saj tek ndërmarrjet e mesme dhe të vogla.

“Në Shqipëri ne disbursuam vjet deri në 22 milionë euro në portofolin tonë ekzistues dhe mobilizuam burime shtesë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që u prekën nga kriza dhe që kishin nevojë për burime likuiditeti për të mbijetuar. Ne po rrisim madhësinë e financimit për firmat e mesme e të vogla, megjithëse ato kanë qënë sektori kryesor i aktivitetit të Bankës Evropiane të Investimeve dhe përbëjnë 30 për qind të portofolit tonë”, thotë përfaqësuesi i BEI-it, Alessandro Bragonzi.

Ai i sheh masat e mara nga qeveria shqiptare si të përshtatshme, megjithëse ende nuk mund të parashikohet sa do të zgjasë kjo krizë.

“Shqipëria dhe vendet e tjera që varen nga turizmi kanë vuajtur shumë si pasojë e mosrealizimit të të ardhurave nga sektori i turizmit por edhe remitancat. Megjithatë, ka një strategji të drejtë për të rigjallëruar ekonominë. Nuk shoh ndonjë tregues që të sugjerojë që kjo nuk do të ndodhë. Megjithatë nuk është e mundur të parashikosh me saktësi se çfarë do të ndodhë me pandeminë. Jemi ende në mes të stuhisë dhe ende nuk kemi dalë prej saj. Pra është e vështirë të bëjmë parashikime dhe të shohim sesi ekonomia do të dalë nga recesioni i vitit të kaluar”.

Së bashku me Bashkimin Evropian, kjo bankë ka rritur financimet e saj duke investuar 1.7 miliardë dollarë nga paketa prej 3 miliardë dollarësh që BE-ja ka vënë në dispozicion për të mbështetur projekte në sektorët e shëndetësisë dhe atë privat duke rritur linjën e kreditit për bankat komerciale.

Aktivitetet e investimit të kësaj banke po përqëndrohen edhe në tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbërt dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.

“Një nga sukseset e rëndësishme për Shqipërinë ka qënë strategjia për të zhvilluar energjitë e ripërtëritshme dhe për të diversifikuar burimet e energjisë. Në Shqipëri jemi duke punuar për një projekt të rrjeteve hekurudhore veçanësisht në korridorin tetë ku po mbështesim punën për zhvillimin e një rrjeti hekurudhor nga Durrësi në kufirin e Maqedonisë së Veriut. Ne po mbështesim Shqipërinë edhe në projekte për mbrojtjen e mjedisit veçanërisht për parandalimin e përmbytjeve. Vitin e kaluar miratuam financimin e modernizimit të rrjetit të shpërndarjes së ujit për qytetin e Tiranës”.

Ndërsa vendit i është dashur të ndjekë një politikë më të kujdesshme fiskale për arsye të borxhit të lartë publik dhe kufizimeve të diktuara nga FMN-ja, Shqipëria po mundohet të përmirësojë kornizën regullatore për ta bërë tregun më tërheqës ndaj investimeve private.

“.. dhe kjo është e pëlqyeshme për ne dhe për çdo investitor të huaj. Është një trajektore e mirë. Menaxhimit të financave dhe nivelit të borxhit po i kushtohet vëmendje, gjë që është shumë e rëndësishme”, thotë zoti Bragonzi.

Bashkimi Evropian ka në plan të investojë 9 miliardë euro në vendet e Ballkanit Perendimor ndërsa pritet të mobilizojë instrumenta të tjerë që kapin shumën 20 miliardë dollarë falë institucioneve si Banka Evropiane e Investimeve në mënyrë që këto vende të përgatiten për t’u anëtarësuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme