Pandemia e koronavirusit ka rritur shkallën e varfërisë në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, rreth 455 mijë persona jetojnë nën pragun e varfërisë dhe shumica e tyre janë familje me tre ose më shumë fëmijë.
Duke marrë në konsideratë gjendjen e tanishme epidemiologjike si dhe treguesit ekonomikë, numri i të varfërve pritet të rritet, bazuar në hulumtimet e institucioneve përkatëse.
“Marr 2.300 denarë (37 euro). Si do të jetojmë shtatë anëtarë me këto para. Mos pyet se si mbijetojmë. Me sopat punojë, dalim të çajmë dru për siguruar para për ngrënë dhe pirë”, thotë Nijazi Hasani, i papunë i cili së bashku me bashkëshorten dhe pesë fëmijët jeton me një asistencë të vogël sociale dhe punët fizike që kryen nëpër qytet.
Ai thotë se me ditë ka pritur në radhë para bankave për të marrë edhe ndihmën shtesë nga shteti në vlerë prej 100 eurosh, që i është ndarë disa kategorive të qytetarëve të goditur nga gjendja e rëndë ekonomike.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar edhe Pakon e katërt financiare në vlerë prej 470 milionë euro, por kjo ndihmë duhet të kalojë edhe në kuvend, që më pas t’i shpërndahet kategorive të caktuara të qytetarëve.
Masat parashohin që 283 mijë qytetarë të marrin nga rreth 6000 denarë apo 100 euro. Këtu përfshihen qytetarët me pensione të ulëta, të papunët, si dhe të gjithë ata që janë të moshës mbi 64 vjeç.
“Kjo pako e masave ekonomike është miratuar në mënyrë transparente dhe me përfshirjen e të gjithë faktorëve, me qëllim që nga ndihma financiare të përfitojnë të gjitha kategoritë e qytetarëve. Jemi të përkushtuar për të luftuar varfërinë që ka goditur shumë familje. Vëmendja jonë është përqendruar në ruajtjen e vendeve të punës dhe në mbështetjen e gjithë të tjerëve, si punëtorët e firmave falimentuese, pensionistët dhe të papunët”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
Por, opozita maqedonase gjendjen ekonomike në vend e vlerëson si shumë të keqe ndërsa masat e qeverisë, të dështuara, që sipas VMRO-DPMNE-së, kanë çuar në varfërimit e skajshëm të popullatës, në veçanti të asaj pjese që mbijeton me ndihma sociale.
“Ky pushtet ka dështuar në përballje me pandeminë. Me këtë pushtet po rrezikohet jeta e banorëve që dëshmohet me numrin e lartë të vdekjeve dhe të infektuarve, ndërsa pjesa tjetër po përballet me gjendje të rëndë ekonomike. Shumë biznese kanë falimentuar që për rrjedhojë kanë lënë shumë familje pa të ardhura për mbijetesë. Kategoritë më të rrezikuara, si të papunët, ata me të ardhura të ulëta apo rastet sociale, janë në gjendje edhe më të rëndë. Qeveria në vend se të përballet seriozisht me këtë gjendje, ajo miraton disa masa, që nuk ofrojnë zgjidhje konkrete, por më tepër janë masa populiste”, thuhet në vlerësimin e partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.
Biljana Dukovska nga organizata joqeveritare “Platforma për Luftën kundër Varfërisë”, thotë se gjatë pandemisë ka njerëz që kaluan nën pragun e varfërisë sepse nuk ishin të informuar ose nuk i kuptonin dekretet e qeverisë për ndihmë në përballje me krizën ekonomike. Ajo pret që, si rezultat i krizës së shkaktuar nga pandemia, varfëria të rritet mes 23 dhe 24 për qind.
“Është fakt që masat rezultuan me një përmirësim të caktuar të situatës, atje ku ishin të destinuara treguan se kanë ndikim. Por, reforma sociale nuk mund të jetë e suksesshme vetëm nëse ka përfitime financiare për qytetarët. Me këtë, ata thjesht nuk do të jenë të uritur për të qenë në gjendje të kërkojnë punë, përndryshe paga është ajo që duhet t’i nxjerrë ata nga varfëria, dhe jo të ardhurat minimale të garantuara”, thotë Dukovska.
Sipas Entit të Statistikës, që nga fillimi i pandemisë, rreth 15 mijë persona kanë humbur vendet e tyre të punës, por sipas odave ekonomike numri i atyre që kanë humbur punës ka arritur në mbi 40 mijë persona./REL
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë