Google ADS

Numri i rasteve aktive me coronavirus 3,331, ndërsa i të shëruarve 4,129

08:12 | 29 Korrik 2020
V. S.

Në Kosovë numri total i rasteve pozitive është 7.652 raste nga 35.121 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 192 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.129 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.331.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka apeluar te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

“Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin për media.

IKSHPK po ashtu ka theksuar se inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”.

Ndryshimi, një ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar një sërë masash për parandalimin e përhapjes së mëtejme të coronavirusit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme