Google ADS

1110 raste aktive me koronavirus në Kosovë, po rrezikohen kapacitetet e Klinikës Infektive

08:19 | 23 Qershor 2020
V. S.

Rritja e numrit të rasteve të reja me koronavirus në Kosovë po vazhdon, derisa vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shtuar 47 raste të reja.

Shumica e rasteve të reja gjatë ditës së djeshme kanë qenë nga komuna e Prishtinës derisa 22 pacientë janë shëruar nga koronavirusi, shkruan lajmi.net.

Kështu, numri i përgjithshëm i rasteve të infektimit në Kosovë me 47 rastet e djeshme shkon në 2216.

Prej tyre, 1069 deri më tani janë shëruar ndërsa 37 raste të tjera kanë përfunduar në vdekje.

Përveç kësaj, vlen të theksohet se me rritjen e numrit po rrezikohen edhe kapacitetet operative të Klinikës Infektive ku tani janë të shtrirë mbi 93 pacientë.

Më poshtë mund t’i lexoni të dhënat më të fundit të rifreskuara nga IKSHPK-ja:

22 TË SHËRUAR DHE 47 RASTE ME COVID-19!

Sot më 22 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 314 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 47 raste.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 18 raste, komuna e Vushtrrisë 6 raste, komuna e Prizrenit 4 raste, komuna e Vitisë 3 raste, komuna e Podujevës 3 raste, komuna e Gjilanit 3 raste, komuna e Lipjanit 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë, Rahovec dhe Skenderaj.

Sot më 22 qershor 2020, janë shëruar 22 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1069 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 22 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 21.831 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 2.216 raste, me gjithsej 37 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 22 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 9.112.653 raste të COVID-19 dhe 471.848 raste të vdekjes. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme