Komisionarët evropianë do t’i bojkotojnë takimet jozyrtare të mbajtura nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe do të përfaqësohen nga burokratë të nivelit më të ulët, derisa Hungaria të kryesojë me BE-në.
Vendimi u mor pasi Orban takoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping.
“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, që shënojnë fillimin e Presidencës hungareze, presidentja [e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen] ka vendosur që Komisioni të përfaqësohet në nivelin e nëpunësve të lartë civilë gjatë takimeve joformale të Këshillit”, shkroi në platformën X Eric Mamer, zëdhënës kryesor i von der Leyenit.
“Vizita e Kolegjit në Presidencën [hungareze] nuk do të realizohet”, shtoi ai.
Kolegji është udhëheqja e Komisionit Evropian dhe përbëhet nga 27 komisionarë.
Hungaria protestoi kundër këtij vendimi. Ministri i Çështjeve Evropiane, Janos Boka, tha se Komisioni i zgjedh institucionet dhe shtetet anëtare me të cilat dëshiron të punojë.
“Komisioni i BE-së nuk mund të zgjedhë se me cilat institucione dhe vende anëtare dëshiron të bashkëpunojë. A bazohen tani të gjitha vendimet e Komisionit në konsiderata politike?”, shkroi Boka në X.
Vendimi i Komisionit vjen pas një raporti të pakonfirmuar në Politico se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, planifikon t’i mbledhë ministrat e Jashtëm të bllokut për takimin “zyrtar” të Këshillit, në të njëjtën kohë kur Hungaria ka planifikuar një mbledhje të ngjashme në gusht.
Orban, vendi i të cilit mori presidencën e BE-së më 1 korrik, udhëtoi për në Moskë më 5 korrik dhe më pas në Kinë, me sa duket për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë me Putinin dhe me Xinë.
Por, ai nuk e informoi BE-në paraprakisht dhe BE-ja u distancua prej udhëtimeve të tij.
Orban, i cili ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Putinin, ka qenë vazhdimisht në mosmarrëveshje me pjesën tjetër të BE-së, duke shprehur kundërshtimet e tij ndaj sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës./rel
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist