Google ADS

Zyrtarët amerikanë në Turqi për të diskutuar mbi përshkallëzimin në Siri

19:32 | 2 Mars 2020
Arbresh.info

Ambasadorja amerikane në OKB, Kelly Craft, do të theksojë nevojën urgjente të qasjes ndërkufitare të autorizuar të OKB-së për ofrimin e ndihmës kritike humanitare.

Një delegacion amerikan ka arritur sot në Ankara për të biseduar me zyrtarët turq në lidhje me Sirinë.

Në njoftimin e misionit amerikan në Kombet e Bashkuara (OKB) thuhet se pjesë e delegacionit janë Kelly Craft, ambasadorja amerikane në OKB; James Jeffrey, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Sirinë dhe një ish-ambasador amerikan në Turqi, “në kohën kur kemi rritje të alarmit për përshkallëzimin e dhunës në Siri”.

“Forcat e regjimit të Assadit, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, kanë nxitur një fushatë brutale ushtarake në Idlib, duke vrarë qindra civilë dhe duke detyruar gati një milion njerëz të braktisin vendin, duke përbërë numrin më të madh të njerëzve të zhvendosur që nga fillimi i luftës siriane nëntë vjet më parë”, thuhet në deklaratë.

Gjatë vizitës, Craft do të theksojë “nevojën urgjente të qasjes ndërkufitare të autorizuar të OKB-së për ofrimin e ndihmës kritike humanitare për komunitetet siriane dhe të zhvendosurit që mbijetojnë pa furnizime dhe strehim të duhur në temperatura shumë të ulëta”.

Delegacioni amerikan gjithashtu pritet që të takojë përfaqësuesit e OKB-së dhe organizatave joqeveritare që angazhohen për t’iu kundërpërgjigjur krizës humanitare në rritje e sipër.

Turqia dje lançoi Operacionin “Mburoja e Pranverës” pasi të paktën 34 ushtarë turq u martirizuan dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një sulm ajror të regjimit të Assadit në Idlib, në zonën e deeskalimit në veriperëndim të Sirisë, në afërsi të kufirit jugor të Turqisë.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se synimi i vetëm i Turqisë gjatë operacionit janë ushtarët e regjimit të Assadit dhe elementët e tij në Idlib sipas të drejtës për vetëmbrojtje.

Ushtarët turq të martirizuar po punonin për të mbrojtur civilët lokalë nën një marrëveshje të shtatorit 2018 me Rusinë, e cila ndalon aktet e agresionit në Idlib.

Që nga Marrëveshja e Soçit më 17 shtator 2018 e deri më tani në sulmet e ndërmarra në Idlib nga regjimi dhe mbështetësit e tij kanë humbur jetën më shumë se 1.800 civilë, duke shkaktuar që rreth 1 milion refugjatë të drejtohen drejt kufirit turk me Sirinë./aa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme