Google ADS

Zyrtarë të NATO-s paralajmërojnë se një shtet tjetër mund t’i bashkohet Rusisë në luftë

16:32 | 22 Mars 2022
S D

Zyrtarë të ShBA-së dhe NATO-s i kanë thënë televizionit amerikan CNN se besojnë që Bjellorusia mundet “së shpejti” t’i bashkohet Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, dhe se vendi tashmë po merr hapa për ta bërë këtë.

Ka gjithnjë e më shumë “gjasa” që Bjellorusia të hyjë në konflikt, tha të hënën një zyrtar ushtarak i NATO-s, shkruan CNN.

“Putini ka nevojë për mbështetje. Çdo gjë do të ndihmonte,” ka thënë ai.

Një burim i opozitës bjelloruse tha se njësitë luftarake bjelloruse janë gati të shkojnë në Ukrainë sa më shpejt në ditët në vijim, me mijëra forca të përgatitura për të hyrë në front. Sipas këtij burimi, kjo do të ketë më pak ndikim ushtarak sesa gjeopolitik, duke pasur parasysh implikimet që një vend tjetër i bashkohet luftës.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s tha veçmas se aleanca vlerëson se qeveria bjelloruse “po përgatit mjedisin për të justifikuar një ofensivë bjelloruse kundër Ukrainës”.

Bjellorusët votuan muajin e kaluar për të lejuar që vendi t’i strehojë përgjithmonë forcat ruse ashtu edhe armët bërthamore, megjithëse zyrtarët amerikanë kanë theksuar për CNN se ata nuk kanë parë ende asnjë provë se Rusia po lëviz armët bërthamore ose po përgatitet për të.

Burimet e televizionit amerikan kanë theksuar se nuk ka pasur indikacione deri më tani që Bjellorusia po merr pjesë aktualisht në luftimet në Ukrainë, dhe një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se Pentagoni nuk kishte parë “asnjë indikacion që bjellorusët po përgatiten të lëvizin … në Ukrainë ose se ata kanë bërë ndonjë marrëveshje për ta bërë këtë.”

Zyrtari ushtarak i NATO-s tha se një vendim përfundimtar për përfshirjen e Bjellorusisë në luftë ende duhet të merret në Moskë, dhe ende nuk ka asnjë indikacion që forcat bjelloruse po marrin pjesë në luftimet në Ukrainë.

“Nuk ka të bëjë me atë që dëshiron [Aleksandër] Lukashenko,” shpjegoi zyrtari, duke iu referuar presidentit bjellorus. “Pyetja është: A dëshiron Putini një vend tjetër të paqëndrueshëm në rajon?

“Përfshirja do të destabilizonte Bjellorusinë,” tha zyrtari./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme