Zonja e Parë e Ukrainës u bën thirrje aleatëve ta detyrojnë Rusinë t’i kthejë fëmijët ukrainas

22:07 | 1 Shkurt 2024
D.H

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, u ka bërë thirrje aleatëve të Kievit të veprojnë më shpejt në përpjekjet e tyre të përbashkëta për ta detyruar Moskën t’i kthejë fëmijët ukrainas të dërguar dhunshëm në Rusi gjatë luftës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) në Riga, ku ajo është bashkorganizatore e një konference me titullin: “Lufta e Rusisë ndaj Fëmijëve”, Zelenska tha se Ukraina po punon me aleatët perëndimorë për zhvillimin e mekanizmave ligjore për t’i bërë trysni Moskës t’i lirojë të kthehen në shtëpi fëmijët.

Sipas të dhënave zyrtare ukrainase, më shumë se 19.500 fëmijë janë dërguar jashtëligjshëm në Rusi prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës rreth dy vjet më parë.

Zelenska paralajmëroi se Rusia po e përshpejton procesin e adaptimit dhe se sa më gjatë që fëmijët të qëndrojnë atje, aq më i madh do të jetë ndikimi në jetën e tyre.

“Armiku ynë kryesor këtu është koha, fatkeqësisht, sepse, së pari, fëmijët rriten. Ne nuk kemi kohë një, apo dy, apo tri vjet. Ne duhet ta kuptojmë këtë. Shpresoj se biseda e sotme do t’i shtyjë partnerët tanë të veprojnë më shpejt”, tha ajo për REL-in.

Disa fëmijë ukrainas, të cilët u kthyen nga Rusia, folën në konferencë dhe i ndanë rrëfimet e tyre. Zelenska tha se është e rëndësishme që njerëzit t’i dëgjojnë dhe shohin fëmijët për ta kuptuar traumën nëpër të cilën kanë kaluar ata, dhe pse fëmijët e mbetur duhet të kthehen sa më shpejt.

Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës e lëshoi vitin e kaluar një urdhërarrest për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe komisionaren për fëmijët, Lvova-Belova, duke i akuzuar ata për dërgimin e fëmijëve ukrainas në Rusi – që është krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar.

Zelenska i quajti “dëshmitarë të rëndësishëm” fëmijët të cilët folën dhe tha se rrëfimet e tyre janë “dëshmi” për krimet e Rusisë.

Zelenska tha se do të ishte gabim që nënat ukrainase, të cilat ikën në vendet e Perëndimit me fëmijët e tyre, të detyrohen për t’u kthyer në Ukrainë derisa lufta vazhdon.

“Ne në Ukrainë e kuptojmë se gjëja më e rëndësishme për një nënë është shpëtimi i fëmijës. Dhe ëndrra jonë është që të gjithë të kthehen [në Ukrainë]. Por, ne e kuptojmë se kjo kërkon paqe. Ne kemi nevojë për paqe, për ta rimarrë veten, në mënyrë që njerëzit të kenë ku të kthehen”, shtoi ajo./rel

Të ngjashme