Zjarret që kanë shpërthyer përreth Los Anxhelosit janë përhapur edhe në Hollivud Hills, teksa nga kjo fatkeqësi natyrore janë vrarë të paktën pesë persona dhe janë shkatërruar qindra shtëpi.
Më shumë se 100.000 persona janë urdhëruar që të evakuohen, përderisa erërat e fuqishme po pengojnë punën e zjarrfikësve për të shuar zjarret, por edhe po përhapin flakët.
“Kjo stuhi zjarri është një stuhi e madhe”, tha kryetarja e Los Anxhelosit, Karen Bass gjatë një konference për media.
Një vatër e re zjarri ka shpërthyer në Hollivud Hills të mërkurën mbrëma, tha shefi i zjarrfikësve, Kristin Crowley, duke detyruar më shumë banorë që të evakuohen.
Në Los Anxhelos aktualisht janë të paktën gjashtë vatra aktive zjarri.
Katër nga to janë 0% nën kontroll, thanë zyrtarët shtetërorë, përfshirë vatra të zjarrit në krahët lindor dhe perëndimor të qytetit që po vazhdojnë të digjen.
Departamenti i zjarrfikësve në Los Anxhelos ka lëshuar urdhra për evakuimin e banorëve nga zona brenda Hollivud Bulevard në jug, në Mulholland Drive në veri, në autostradën 101 në lindje e deri në Lauren Kanion Bulevard në perëndim.
Brenda kësaj zone gjendet Teatri Dobly, ku mbahet ceremonia e çmimeve Oscar. Nominimet për Oscar, që ishin paraparë të bëheshin javën e ardhshme, janë shtyrë për dy ditë për shkak të zjarrit, thanë organizatorët.
Në pjesën perëndimore të Los Anxhelosit, autoritetet thanë se janë djegur 6.406 hektarë dhe qindra struktura. Ndërkaq, në lindje janë djegur 4.289 hektarë, 1.000 struktura dhe janë vrarë të paktën pesë persona, thanë zyrtarët.
Tre persona po ashtu janë arrestuar për plaçkitje, sipas policisë.
Dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe humbjet në ekonomi vlerësohet të jenë miliarda dollarë.
“Ne po përballemi me një fatkeqësi natyrore të përmasave historike”, tha drejtori i menaxhimit të emergjencave në Los Anxhelos, Kevin McGowan.
Edhe pse parashikuesit e motit kanë paraparë që fuqia e erërave do të bjerë, kushtet e rrezikshme atmosferike pritet të vazhdojnë deri të premten.
Pothuajse 300.000 shtëpi dhe biznese mbetën pa rrymë në Los Anxhelos të mërkurën, teksa shkollat janë të mbyllura.
Përmasa e zjarreve ka bërë që zjarrfikësit të përballen me vështirësi dhe të punojnë përtej kapaciteteve të tyre. Zjarrfikës nga gjashtë shtete të tjera janë nisur drejt Kalifornisë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Zjarrfikësit në Los Anxhelos kanë thënë se tani po përballen edhe me mungesë të ujit, teksa po vazhdojnë përpjekjet e tyre për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka shpallur zjarret fatkeqësi të madhe. Në ditët e tij të fundit si president i SHBA-së, ai ka anuluar një udhëtim për në Itali, në mënyrë që të përqendrohet në drejtimin e përgjigjes të institucioneve federale në shuarjen e zjarreve, tha Shtëpia e Bardhë.
Shkencëtarët kanë thënë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta, më intensive dhe të zgjasin më shumë./rel/
Me ligjin e ri tekstet shkollore falas në 5 gjuhë në Maqedon...
Rama mbledh yjet e sportit shqiptar, u premtoi mbështetje dh...
Ronaldo e nis vitin me gol, shënon nga penalltia
Driloni shpërthen ndaj Vullnetit: Nuk je ma shqiptar se unë
“Shkrihen akujt” mes Obamës dhe Trump, dyshja të...
Haxhiu: Në këto katër vjet, qytetarët janë varfëruar