Google ADS

Zjarre në Kanada, evakuohen banorët

13:40 | 1 Korrik 2021
A. B.

Zjarret në natyrë i kanë detyruar autoritetet e fshatit kanadez, Lytton, që t’i evakuojnë banorët një ditë pas regjistrimit të temperaturës rekorde të të gjitha kohëve në Kanada, 49.6 gradë.

Kryetari i fshatit me 250 banorë në rajonin e Kolumbisë Britanike u kërkoi atyre që të largohen, duke thënë se flakët janë shpërndarë nëpër fshat për vetëm 15 minuta, shkruan BBC.

Temperatura të pazakonta janë regjistruar në Kanada dhe në pjesën veriperëndimore të Shteteve të Bashkuara. 486 vdekje u regjistruan në Kolumbinë Britanike për 5 ditë, ndonëse normalisht për këtë periudhë shënohen mesatarisht vetëm 165 të vdekur.
Banorët e fshatit Lytton u evakuuan të mërkurën, shumë prej tyre pa i marrë gjësendet me vete, pasi tymi dhe flaka e përfshinë vendbanimin që ndodhet rreth 260 kilometra në verilindje të Vankuverit.

Vetëm në Vankuver, besohet se vapa ka qenë faktor kontribues në vdekjen e 65 personave nga e premtja e kaluar. Qyteti ka hapur 25 qendra për freskim me kondicionerë të ajrit, ku njerëzit po pushojnë ose po punojnë nga distanca.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme