Ish-Presidenti Barack Obama foli me tone të zjarrta kundër kandidaturës së ish-Presidentit Donald Trump dhe në favor të Nënpresidentes Kamala Harris të enjten gjatë një tubimi në një kampus universitar në Pitsburg, që synonte të nxiste të rinjtë të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit.
Ish-Presidenti Obama dha mbështetje të fortë për zonjën Harris, kur ajo u bë kandidatja zyrtare demokrate, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq në korrik pas një paraqitjeje të dobët në debat përballë ish-Presidentit republikan Donald Trump.
Ish-Presidenti Obama, mandati i të cilit në Shtëpinë e Bardhë përfundoi në vitin 2017, vazhdon të gëzojë popullaritet në bazën e partisë së tij. Aktiviteti ku ai mori pjesë në Universitetin e Pitsburgut, i mbajtur ndërsa zonja Harris bënte fushatë në Nevada dhe Arizona, është i pari nga disa aktivitete që ai planifikon të bëjë në shtetet e rëndësishme për betejën elektorale në javët e ardhshme.
“Unë e kuptoj pse njerëzit kërkojnë t’i ndryshojnë gjërat”, tha ish-Presidenti Obama përpara një turme mbështetësish. “Unë i kuptoj njerëzit që ndihen të zhgënjyer, që ndjejnë se mund të bëjmë më shumë. Ajo që nuk mund ta kuptoj është se përse dikush do të mendonte se Donald Trump-i do t’i ndryshojë gjërat në një mënyrë që është e mirë për ju, në Pensilvani”, tha ai.
Barack Obama nuk është i vetmi ish-president që fushata e zonjës Harris synon ta angazhojë në fushatën elektorale.
Bill Clinton, gjithashtu një ish-president demokrat për dy mandate dhe ish-guvernator i Arkansasit, do të bëjë ndalesa në Xhorxhia të dielën dhe të hënën përpara se të udhëtojë drejt Karolinës së Veriut për një turne me autobus më vonë gjatë javës, në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve ruralë./VOA
“Boll more më”, Xheneta me ashpërsi i kthehet Rovenës, ja re...
Begaj viziton Mirditën, inkurajon binjakëzimin dhe bashkëpun...
Fitojnë Drita e Ballkani
Pak çerdhe, pak punë për gra
Meloni: Rusia përbën rrezik në shumë plane ndaj sigurisë së ...
“Mirëmëngjesi bro”, i thotë Sara Drilonit, por këtij të fund...