Autoritetet zgjedhore në Iran bënë të ditur se ligjvënësi reformist, Masud Pezeshkian, dhe kandidati i linjës së ashpër, Saeed Jalili, do të përballen në rundin e balotazhit për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahet më 5 korrik.
Mohsen Eslami, zëdhënës i Komisionit Zgjedhor të Iranit, tha më 29 qershor se Pezeshkian në rundin e parë fitoi 42.5 për qind të votave, ndërkaq Jalili 38.6 për qind.
Dalja në zgjedhje ishte 40 për qind, që konsiderohet dalje e ulët.
Në garë ishin edhe dy kandidatë: Mohammad Baqer Qalibaf, kryeparlamentar i Iranit dhe Mostafa Purmohammadi, ish-ministër i Drejtësisë dhe i Brendshëm.
Të katër kandidatët u verifikuan dhe u miratuan nga Këshilli i Gardës, një mbikëqyrës kushtetues, anëtarët e të cilit janë drejtpërdrejt apo tërthorazi të emëruar nga udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei.
Rezultati i zgjedhjeve ka pak të ngjarë të rezultojë në ndryshime të mëdha politike, por mund të ketë ndikim se kush do ta pasojë Khamenein, i cili ka qenë lider suprem i vendit që nga viti 1989.
Pezeshkian është anëtar i Parlamentit që nga viti 2008 dhe ka shërbyer si nënkryetar i këtij institucioni nga viti 2016 deri më 2020, kur reformistët dhe të moderuarit kishin shumicën në Parlament.
Ai ka vënë në pikëpyetje metodat që përdor Irani për të detyruar mbajtjen e hixhabit nga gratë dhe vajzat dhe është shprehur në favor të negociatave të Perëndimit. Por, në zgjidhet, ai duhet të ndjekë politikat e Khameneit.
Disidentët brenda dhe jashtë Iranit kanë bërë thirrje për bojkot, duke argumentuar se votimet nuk do të sjellin ndryshime.
Lideri suprem i Iranit ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore dhe presidenti nuk ka shumë pushtet sa i përket çështjeve kyçe.
Zgjedhjet presidenciale në Iran u mbajtën pas vdekjes së presidentit paraprak Ebrahim Raisi, gjatë rrëzimit të helikopterit me të cilin ai po udhëtonte më 19 maj, shkruan REL.
Shumë iranianë i janë referuar atij si “Kasapi i Teheranit”, për shkak të rolit të pretenduar të Raisit në ekzekutimin masiv të të burgosurve politikë më 1988, kur ishte zëvendësprokuror në Teheran.
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?