Google ADS

Zgjedhjet në BE, Holanda shënon surprizën e parë

13:36 | 26 Maj 2019
Arbresh Info

Holanda shënon surprizën e parë të zgjedhjeve europiane. Forcat pro-europiane më në krye kandidatin socialdemokrat progresist për presidencën e Komisionit Europian, Frans Timmermans janë fituese të zgjedhjeve europiane që u zhvilluan në 23 maj.

Në një kohë kur humbja e popullaritetit të partisë socialdemokrate në Holandë konsiderohej si pika e dobët e kandidatit Timmermans, ai arrin të përmbysë situatën dhe partia e tij PvdA del fituese e zgjedhjeve europiane me 18% të votave. Kjo votë përkthehet me 6 vende në Parlamentin Europian nga 26 vende që i jepen në total Holandës dhe që i korrespondon dyfishit të rezultatit të zgjedhjeve të 2014.

Partia e kryeministrit liberal Mark Rutte (VVD) ka shënuar një rritje të vogël në këto zgjedhje me 14 % dhe arrin të marrë 4 vende në Parlamentin Europian.

Kryeministri Mark Rutte ka përshëndetur Timmermans për një performancë të shkëlqyer, ndërkohë që ky i fundit e konsideron fitoren e socialdemokratëve në Holandë si një sinjal të një mazhorance që do të shohë BE-në të vazhdojë të luajë një rol për zgjidhjen e problemeve që duhen zgjidhur.

Ndërkohë partia e njohur e ektremit të djathtë me në krye Geert Wilders (PVV) ka humbur në këto zgjedhje duke marrë vetëm 4% të votave. Por partia e re euroskeptike e Thierry Baudet (FvD) merr 3 vende në Parlamentin Europian. Një tjetër surprizë e zgjedhjeve europiane në Holandë është edhe ngjitja e të gjelbërve, që kanë arritur 11% të votave, që përbën 4 % më shumë se zgjedhjet e 2014./Klan Meqedonia/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme