Moldavët kanë filluar të votojnë mëngjesin e së dielës për ta rizgjedhur apo rrëzuar presidenten proevropiane dhe mbase për t’i mishëruar synimet e tyre evropiane në Kushtetutë. Derisa ata po inkurajohen nga Perëndimi, dyshimet janë të mëdha se Moska po përzihet në votimet e tyre.
Moldavia dhe vende të huaja kanë paralajmëruar për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë përmes dezinformimit, blerjes së votave dhe dërgimit të parave për të nxitur trazira, pasi Kishinjevi dhe bashkësia ndërkombëtare kanë treguar sa shumë i kushtojnë rëndësi zgjedhjeve të lira, drejta dhe paqësore.
Presidentja e tanishme, Maia Sandu, përballet me 10 kundërshtarë të kryesuar nga socialisti prorus, Alexandr Stoianoglo, dhe ish-kryetari populist, Renato Usatii, në zgjedhjet e treta të drejtpërdrejta presidenciale të republikës së varfër ish-sovjetike, në një kohë kur vendi po përballet me polarizim të brendshëm dhe me luftën në lindje, në Ukrainë.
Referendumi, i thirrur nga Sandu, i pyet 3.3 milionë moldavë brenda dhe jashtë vendit nëse e “mbështesin ndryshimin e Kushtetutës për anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian”.
Rezultatet e këtyre votimeve mund të ofrojnë mësime të vlefshme për aleatët e Sandut dhe opozitën para zgjedhjeve parlamentare të verës së ardhshme, të cilat do të jenë një referendum për katër vjetët e qeverisjes nga Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), që ajo e themeloi tetë vjet më parë.
Megjithëse në Moldavi presidenti ka pushtet të kufizuar ekzekutiv, Sandu e ka përdorur me sukses mesazhin e saj properëndimor dhe ndikimin e saj me partinë PAS për të sjellë disa reforma të kufizuara dhe për të siguruar kandidaturën formale të vendit për anëtarësim në BE, pavarësisht ndarjeve të thella brenda ish-republikës sovjetike.
Një nga veprimet e saj më ambicioze ka qenë eliminimi i varësisë së Moldavisë nga gazi natyror rus pas pushtimit të plotë të Ukrainës, por kjo ka shkaktuar inflacion dhe vështirësi të tjera ekonomike për shumë nga 2.4 milionë banorët e Moldavisë.
Sondazhet e fundit e tregojnë se Sandu gëzon 30-35% mbështetje, shumë më shumë se ish-prokurori i Përgjithshëm Stoianoglo, të cilin ajo e shkarkoi vitin e kaluar, që gëzon vetëm 9% mbështetje, dhe ish-kryebashkiakut Usatit, i cili promovon një qasje më të ekuilibruar midis Lindjes dhe Perëndimit në politikën e jashtme, i cili ka 6% përkrahje.
Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave, atëherë do të mbahet një balotazh më 3 nëntor mes dy kandidatëve që kanë siguruar më së shumti vota.
Përveç paralajmërimeve të forta nga zyrtarët vendës, përfshirë ministrin e jashtëm të Moldavisë, edhe zyrtarët amerikanë dhe ata perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje, duke përmendur në korrik “veprime shumë të qarta nga rusët për t’i sabotuar zgjedhjet dhe referendumin e ardhshëm”.
Rusia – e cila mban qindra trupa në një bazë ish-sovjetike në rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester, ku shumica e popullsisë flet rusisht – e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet moldave.
Prej kur partia e tij u ndalua nga Qeveria dhe më pas nga Gjykata Kushtetuese e Moldavisë vitin e kaluar për përpjekje për grusht shtet, oligarku i dënuar Ilan Shor është akuzuar për organizimin e një skeme shumë milionëshe për të paguar votues anti-BE dhe ndikues të ndryshëm. Ai dyshohet edhe për skema të tjera nga mërgimi i tij në Rusi për të promovuar Rusinë mes moldavëve dhe për të nxitur pakënaqësi ndaj Qeverisë së tyre.
Disa ditë para zgjedhjeve, autoritetet njoftuan se i kishin arrestuar katër persona dhe paralajmëruan se dhjetëra të tjerë ishin trajnuar në Rusi dhe Ballkan për ta “destabilizuar” vendin pas zgjedhjeve.
Javët e fundit janë karakterizuar nga një valë mbështetjeje të dukshme diplomatike për kauzën pro-BE në Moldavi, me theks të veçantë vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila njoftoi investime në vlerë gati 2 miliardë dollarë nga BE-ja për ta ndihmuar “dyfishimin e madhësisë së ekonomisë suaj brenda një dekade”.
“Është zgjedhje juaj sovrane çfarë të bëni me vendin tuaj dhe askush nuk mund të ndërhyjë”, tha von der Leyen në Kishinjev, më 10 tetor.
“Natyrisht, duke folur si presidente e Komisionit Evropian, unë besoj se Moldavia e ka vendin në Bashkimin tonë Evropian”, shtoi ajo.
Ndryshimet në Kushtetutë që janë pjesë e referendumit do të përfshinin konfirmimin në Preambulë të “identitetit evropian” të moldavëve, “pakthyeshmërinë e gjykatave evropiane” të vendit, dhe integrimin si një “synim strategjik” kombëtar.
Gjithashtu, do të shtohej një seksion që do të lejonte anëtarësimin përmes votës së shumicës në Parlamentin e Moldavisë.
Të paktën 1.1 milion votues duhet të marrin pjesë në referendum që ai të jetë i vlefshëm.
Votimi kundër në referendum nuk do ta përjashtonte anëtarësimin e Moldavisë në të ardhmen, por do të ishte një goditje serioze për Sandun dhe aleatët e saj pro-BE.
Rezultatet zyrtare priten të shpallen herët më 21 tetor./rel
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...