Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha të hënën se vendi i tij po i përmbush objektivat në ofensivën gati dy-javore në rajonin e Kursk-ut në Rusi, duke ulur mundësinë e sulmeve të shumta ruse dhe futjen e trupave në Ukrainë.
“Ne po i arrijmë synimet tona”, tha zoti Zelenskyy.
Trupat ukrainase u futën në territorin rus më 6 gusht, një sulm i befasishëm dhe më i madhi i këtij lloji i ndërmarrë nga Kievi që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ndërsa trupat ukrainase luftojnë në frontin lindor të vendit, Kievi tha se inkursioni në territorin rus kishte për qëllim ta detyronte Moskën të negocionte në kushte “të drejta” kur të zhvillohen bisedime eventuale për arritjen e paqes dhe dhënien fund të luftës, edhe pse asgjë nuk është planifikuar.
Ukraina thotë se ka kapur rob qindra ushtarë rusë në rajonin e Kursk-ut. Por për trupat e Kievit në pjesën lindore të Ukrainës situata nuk është e mirë. Autoritetet lokale ukrainase dhanë urdhër për evakuimin e detyrueshëm të familjeve me fëmijë nga qyteti Pokrovsk i provincës Donetsk, ku ende jetojnë rreth 53,000 banorë.
Autoritetet thanë se forcat ruse po përparojnë aq shpejt sa familjet duhet të largohen nga zonat përreth për arsye sigurie. Trupat ruse janë përpkejur për muaj të tërë që të përparojnë drejt qytetit Pokrovsk dhe tani janë vetëm 10 kilometra nga periferia e qytetit.
Ushtarët ukrainas janë tërhequr nga pozicionet e shkatërruara nga artileria, raketat dhe bombat ruse. Një nga përpjekjet e Kievit për të lehtësuar trysninë në Ukrainën lindore ishte sulmi në rajonin Kursk të Rusisë.
Oleksandr Syrskyi, komandant i përgjithshëm i Ukrainës, tha të hënën se po zhvilloheshin “beteja të ashpra” në zonën e Pokrovsk-it. Ai tha se qyteti Toretsk, aty pranë, rrezikohet të merret nga ushtria ruse, çka do të hapte shtegun e përparimit të forcave të Moskës nga jugu drejt bastionit të rëndësishëm Chasiv Yar.
Instituti për Studimet e Luftës, me seli në Uashington, tha të dielën se forcat ruse kanë përparuar afërsisht dy kilometra katrorë në ditë në rajonin Pokrovsk gjatë gjashtë muajve të fundit. Pavarësisht përparimit të forcave ruse, Presidenti Zelenskyy tha të dielën se i vlerëson përpjekjet e ushtrisë për të zmbrapsur agresorët.
“Në një ditë të vetme ka patur dhjetëra sulme, por njësitë dhe brigadat tona po bëjnë gjithçka për të mbrojtur pozicionet”, tha ai. Presidenti ukrainas tha se trupat e Kievit shkatërruan pajisjet ruse pranë qytetit Toretsk. Pokrovsk është një nga bastionet kryesore të mbrojtjes ukrainase dhe qendër kryesore logjistike në rajonin e Donetsk-ut. /VOA
Robert Lewandowski arriti shifrën jubilare në Ligën e Kampio...
FSK-ja shënon sot “Ditën e Forcës”
Trump nënshkruan marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për të fil...
Kurti sot merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës së Sigur...
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-së,...