Presidenti i Ukrainës përfundoi të enjten takimet e tij në Shtetet e Bashkuara ku kërkoi mbështetje ushtarake dhe përkrahje për planin e tij të paqes 10 pikësh.
Zelenskyy zhvilloi takime në Kapitol, në Pentagon dhe në Zyrën Ovale me Presidentin Joe Biden.
Kundërofensiva e Ukrainës po lëviz ngadalë në përpjekje për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia. Fushata për të siguruar mbështetje e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në SHBA, nisi nga Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ku ai i bëri thirrje komunitetit global që të përkrahë planin e tij të paqes dhe më pas në Uashington, ku u bëri thirrje ligjvënësve për 24 miliardë dollarë në ndihma, për të mbështetur përpjekjet e vendit të tij për t’u mbrojtur.
Udhëtimi i tij më pas vazhdoi në Pentagon, ku zyrtarët ushtarakë rikonfirmuan mbështetjen e tyre dhe prej andej, në skenën më të rëndësishme nga të gjitha, Shtëpinë e Bardhë.
Aty ai zhvilloi takimin e tij të gjashtë me Presidentin Joe Biden të enjten.
Joe Biden Presidenti i Shteteve të Bashkuara “Së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, populli amerikan është i vendosur të kujdeset që ne të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që bota të qëndrojë me ju dhe ky është objektivi ynë”, tha Presidenti amerikan, Joe Biden.
Volodymyr Zelenskyy President i Ukrainës “Sot, jam në Uashington për të forcuar pozitën tonë për të mbrojtur Ukrainën, fëmijët tanë, familjet dhe shtëpitë tona, lirinë dhe demokracinë në botë. Unë e nisa ditën në Kongres për t’i falënderuar ata dhe popullin e Amerikës për mbështetjen e madhe”, tha Presidenti Zelenskyy.
Ky udhëtim në një kryeqytet mijëra kilometra larg frontit ka rëndësi, thonë analistët. Kathleen McInnis Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare “Ajo që Bideni po bën duke i dhënë Zelenskyyt këtë platformë tregon se kjo çështje ka rëndësi për ne.
Prandaj, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që thotë Zelenskyy dhe kërkesave që po bëjnë ukrainasit”, thotë Kathleen Mclnnis, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Të enjten, Presidenti Biden njoftoi për një paketë të re ndihme ushtarake që përfshin sisteme të mbrojtjes ajrore dhe artileri.
Zëri i Amerikës e pyeti administratën e Presidentit Biden nëse ata mbështesin plotësisht planin e paqes prej 10 pikash të zotit Zelenskyy. Këshilltar për Sigurinë Kombëtare “Secili nga elementët individualë të planit, sovraniteti dhe integriteti territorial, siguria ushqimore, siguria ekologjike, siguria bërthamore, ne sigurisht që i përkrahim”.
Këto janë parime themelore të sistemit ndërkombëtar. Ne kemi thënë se vizioni i Presidentit Zelenskyy për një paqe të drejtë është plotësisht në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me dinjitetin dhe parimet e përbashkëta të njerëzimit”, tha Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare.
Përpara se të arrihet paqja, Presidenti Biden po i kërkon Kongresit 24 miliardë dollarë për të financuar përpjekjet luftarake të Ukrainës. Të enjten, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy nuk pranoi të zotohet se do ta mbështesë kërkesën, por anëtarët e partisë së tij shprehën mbështetje.
Michael McCaul Ligjvënës Republikan, Teksas “Ata kanë nevojë për ndihmë dhe do ta marrin atë. Shumica e shumicës e mbështet këtë. E di që ka disa mosmarrëveshje nga të dyja palët. Kjo është ajo që Putini dëshiron sepse ai dëshiron të thyejë vullnetin e popullit amerikan dhe evropianëve. Ne kemi nevojë për një plan për fitore, dhe ne duhet ta bëjmë atë së shpejti”, tha Michael McCaul, ligjvënës republikan nga Teksasi.
Po një pikëpyetje që ngrihet e që merr kuptim të rëndësishëm prej Uashingtonit deri tek shtëpitë shkatërruara të ukrainasve është: edhe sa gjatë mund të vazhdojë kjo situatë?
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...