Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve botërore të mërkurën që të qëndrojnë krah vendit të tij dhe të mos kërkojnë alternativa “daljeje nga lufta” me Rusinë, por paqe të vërtetë, rreth më shumë se dy vjet pas sulmit në shkallë të gjerë nga Moska.
Në një kohë që ai përballet me trysni në rritje nga aleatët perëndimorë dhe qytetarë të Ukrainës për të negociuar një armëpushim, zoti Zelenskyy tha në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se nuk ka alternativë tjetër veç “planit të paqes” që ai paraqiti dy vjet më parë.
Veç të tjerash, plani kërkon largimin e të gjitha forcave ruse nga Ukraina si edhe vënien e tyre para përgjegjësisë për krimet e luftës.
“Çdo përpjekje paralele, ose alternative për vendosjen e paqes, në fakt do të ishte përpjekje për të kërkuar dalje nga lufta me Rusinë në vend të përfundimit të luftës. Mos e përçani botën. Bashkohuni si kombe dhe kjo do të na sjellë ne paqe”, bëri thirrje ai.
Rusisë nuk i ka ardhur ende radha për të folur në Asamblenë e OKB-së që bën bashkë presidentë, kryeministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Diplomatë të nivelit të ulët zunë vendet në sallën e Asamblesë gjatë kohës që po mbante fjalimin Presidenti Zelenksyy.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin nuk po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të këtij viti.
Lufta në Ukrainë ka qenë në qendër të diskutimeve në të dyja mbledhjet e fundit vjetore të Kombeve të Bashkuara. Por këtë vit, lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë dhe përshkallëzimi i sulmeve ne kufitin izraelito-libaneze kanë marrë shume vëmendje.
Ukraina dhe Rusia, që ka një nga ushtritë më të fuqishme në botë, po luftojnë ashpër përgjatë vijës së frontit prej 1 mijë kilometrash.
Rusia sulmoi fqinjin e saj në shkurt të 2022 dhe deri tani në luftime janë vrarë mijëra njerëz.
Presidenti Zelenksyy tha të martën gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se duhen ndërmarrë veprime që Rusia “të detyrohet të pranojë paqen” dhe se nuk ka kuptim që të vazhdohet me bisedime paqeje me Putinin.
Në Moskë, zëdhenësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të mërkurën se deklaratat e Presidentit ukrainas për ta “detyruar” Moskën përbënin një “gabim fatal” dhe se do te ketë pasoja të pashmangshme për Kievin.
Presidenti Zelenskyy pritet që t’i paraqesë Presidentit Joe Biden planin që sipas tij do sjellë fitore në Ukrainë. Ai pritet ta bëjë këtë gjatë takimit me homologun Biden në Uashington./voa/
Dasara Karaiskaj për Parashqevi Simakun: Atë grua e përçudnu...
Shqipëria trajnon ushtarët ukrainas në Komandën e NATO-s
Real Madrid e fiton Kupën Interkontinentale
Deputeti gjerman e fut Kosovën në kartolinat e tij të fundvi...
SHBA sanksionojnë individë dhe kompani që mbështesin Milorad...
Arrestohet një person në veri, në shtëpi iu gjetën shumë mje...