Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, bisedoi të mërkurën përmes një lidhje me video me udhëheqësit e G7. Ai tha se Moska po shpreson për një krisje në unitetin e vendeve perëndimore vitin që vjen.
Të pranishmit, mes tyre aleatët kryesorë të Kievit, Presidenti Joe Biden dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak, thanë se mbetën të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën. Komentet e tyre erdhën mes frikës se mbështetja perëndimore për Ukrainën mund të zbehet pasi Kievi po bën përparim të kufizuar në fushën e betejës.
“Ne jemi të përkushtuar që të mbështesim një Ukrainë të pavarur, demokratike, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, thanë udhëheqësit e G7 në një deklaratë pas takimit.
Udhëheqësit njoftuan veprimet që do të ndërmerren kundër Rusisë, përfshirë ndalimin deri në janar të importit të diamanteve nga Rusia dhe diamanteve ruse të përpunuara nga vende të treta deri në mars. Kjo është një nga përpjekjet për të ulur fitimet e Rusisë.
Ndër masat e tjera është edhe forcimi i zbatimit rreptësishtë të kufirit të çmimit të naftës ruse, ndërsa udhëheqësit e G7 u bënë thirrje palëve të treta që të mos i shesin Rusisë materiale ushtarake ose do të përballen me një “kosto të rëndë”.
Udhëheqësit gjithashtu premtuan shtimin e përpjekjeve humanitare për Ukrainën gjatë dimrit, duke i bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund agresionit të saj dhe të paguajë për dëmet që ka bërë tashmë.
Ndërsa zoti Zelenskyy u takua me udhëheqësit e G7, Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një udhëtim të rrallë jashtë vendit, një vizitë njëditore në Lindjen e Mesme me ndalesa në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite në përpjekje për të rritur pozitën e Rusisë në rajon.
Emiratet e Bashkuara Arabe, vendi organizator i takimit të Kombeve të Bashkuara për klimën, COP28, është një aleat i SHBA-së me lidhje të ngushta me Rusinë. Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe e pritën ngrohtësisht Presidentin Putinin në Abu Dhabi.
Udhëheqësi rus u takua gjithashtu me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për diskutime të shumë çështjeve, përfshirë atë që zoti Putin e quajti “kriza ukrainase”, përpara se të vazhdonte bisedimet me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.
Ukrainasit që po marrin pjesë në takimin për klimën në Emiratet e Bashkuara e dënuan vizitën e zotit Putin në rajon, duke përmendur mes të tjerash edhe krimet mjedisore që ka kryer Rusia në Ukrainë.
“Është për të ardhur keq kur sheh se si bota i trajton kriminelët e luftës, sepse ai është i tillë, mendoj unë”, tha Marharyta Bohdanova, një punonjëse në pavijonin ukrainas në takimin e klimës COP28. “Kur shikon priten e njerëzve si ai në ngjarje të mëdha, trajtimin si një mysafir të dashur, është thjeshtë hipokrizi”, tha ajo./voa
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...