Zelensky takon liderët e BE-së në Bruksel, para kthimit të Trumpit

22:59 | 18 Dhjetor 2024
E.G

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Bruksel për një takim me shefin e NATO-s, Mark Rutte, dhe me disa liderët evropianë, për të biseduar për strategjinë e luftës, pasi ka shqetësime se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, mund ta ndërpresë mbështetjen e SHBA-së për Kievin kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë muajin e ardhshëm.

Takimi i natës së 18 dhjetorit po mbahet pasi liderët evropianë synojnë ta përpilojnë një plan të tyre, nëse Trumpi, i cili është zotuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë shpejt, nuk e mbështet Kievin apo e detyrën atë të bëjë lëshime në favor të presidentit rus, Vladimir Putin, për ta arritur një armëpushim.

Liderët evropianë kanë ngulur këmbë vazhdimisht se vetëm Ukraina duhet të vendosë se kur është e gatshme të bisedojë me Rusinë për marrëveshje armëpushimi.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha për gazetarë para takimit se prioritet është të garantohet “sovraniteti i Ukrainës dhe që ajo të mos detyrohet ta pranojë një paqe të diktuar”.

Ai shtoi se diskutimi për dërgimin e trupave tokësore – një çështje e ngritur rishtazi gjatë një takimi mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit polak Donald Tusk – do të ishte i parakohshëm.

Rutte tha se aleatët e Kievit duhet të përqendrohen në rritjen e furnizimeve me armë për t’u siguruar që Ukraina të jetë në një pozicion të fortë.

“Detyra kryesore është të sigurohemi që Ukraina ta ketë atë që i nevojitet për ta parandaluar që Putini të fitojë dhe që Ukraina të triumfojë”, tha Rutte në një konferencë për shtyp para takimit.

Në takimin në Bruksel do të diskutohet “se si të forcohet urgjentisht Ukraina në fushën e betejës, politikisht dhe gjeopolitikisht”, tha Zelensky në X, pasi mbërriti në Bruksel.

Ai tha se Evropa ka nevojë për një “qëndrim të fortë dhe të bashkuar për të siguruar një paqe të qëndrueshme”.

Pritet që Zelensky të kërkojë përsëri më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve të Rusisë kundër rrjetit energjetik të Ukrainës.

I organizuar nga Rutte, takimi përfshin zyrtarë nga Gjermania, Polonia, Italia, Danimarka, Holanda dhe institucionet kryesore të Bashkimit Evropian. Franca dhe Britania do të përfaqësohen nga ministrat e tyre të Jashtëm.

Ndër temat e mundshme janë garancitë e sigurisë që mund t’i ofrohen Ukrainës në rast të një armëpushimi dhe si mund të monitorohet armëpushimi. Në mesin e opsioneve është një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse për ta bërë këtë.

/rel

Të ngjashme