Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se është “e pashmangshme” se “lufta” në Rusi do të ndodhë, pasi autoritetet ruse u detyruan ta mbyllin përkohësisht një aeroport shumë të frekuentuar në Moskë, si pasojë e sulmeve me dronë gjatë natës në kryeqytetin rus.
“Dalëngadalë, lufta po rikthehet në territorin e Rusisë – në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake. Dhe kjo është e pashmangshme, e natyrshme, dhe plotësisht e drejtë”, tha Zelensky gjatë një vizite në qytetin Ivano-Frankivsk më 30 korrik.
Zelensky i paralajmëroi ukrainasit, po ashtu, se ata duhet të jenë të gatshëm për sulme shtesë nga Rusia në infrastrukturën e vendit dhe të përgatiten tani për muajt e dimrit.
“Ukraina po forcohet”, tha ai. “Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se, tamam sikur vitin e kaluar, terroristët rusë mund ta sulmojnë sektorin tonë të energjisë dhe objektet e rëndësishme këtë dimër”.
Zyrtarët rusë njoftuan se tre dronë ukrainas e sulmuan Moskën mëngjesin e 30 korrikut, duke e plagosur një roje sigurie. Aeroporti Vanukovo, njëri prej katër aeroporteve të mëdha në Moskë, u mbyll përkohësisht pas sulmeve.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e quajti atë “tentim sulm terrorist” dhe pretendoi se një dron u rrëzua dhe dy të tjerët u bllokuan, duke u përplasur pastaj në kompleksin prestigjioz të biznesit në Moskë, Moskva-Citi.
Agjencia e lajmeve RIA, e cila kontrollohet nga shteti rus, publikoi pamje që shfaqën dëmet e shkaktuara në një zyre të lartë në zonën e biznesit.
Pamjet nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Një zëdhënës i Forcave Ajrore të Ukrainës tha në Kiev më 30 korrik se “diçka gjithmonë fluturon mbi Rusi, dhe mbi Moskë në veçanti”.
“Diçka po vjen dhe atë zhurmshëm. Nuk ka rëndësi që autoritetet ruse duan t’i mbyllin sytë dhe të thonë se i kanë rrëzuar të gjitha… nuk ka kuptim të flasësh për paqe brenda Rusisë”, tha Yuriy Ihnat.
Kjo ishte hera e katërt këtë muaj që Moska sulmohet me dronë./rel
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...