Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha të mërkurën se forcat ushtarake të vendit të tij i kanë treguar botës së ushtria ruse mund të ndalet, por se qeveria ukrainase ka nevojë të madhe që aleatët perëndimorë të dërgojnë sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, për të ndalur valët e njëpasnjëshme të dronëve dhe raketave ruse.
Në Vilnius, ndalesa e tij e parë gjatë një vizite dyditore në vendet balltike, presidenti ukrainas Zelenskyy u takua me presidentin lituanez Gitanas Nauseda.
Më pas, zoti Zelenskyy tha se “kemi provuar që Rusia mund të ndalet, se parandalimi është i mundshëm”.
Por, ai shtoi se “na mungojnë së tepërmi sistemet moderne të mbrojtjes ajrore, ato që na duhen më shumë”, për të luftuar ndaj valëve të sulmeve ajrore ruse. Mbi 500 dronë dhe raketa kanë goditur Ukrainën në periudhën 29 dhjetor – 2 janar.
Zoti Zelenskyy pranoi megjithatë se rezervat janë të pakta në vendet që munden ta ndihmojnë Ukrainën.
“Depot janë bosh”, tha ai. “Dhe ka shumë sfida për mbrojtjen botërore”.
UKRAINA SYNON TË NGREJË INDUSTRINË E MBROJTJES
Ndërsa lufta po mbush dy vite, Ukraina shpreson të zgjerojë industrinë e saj të mbrojtjes dhe të punojë për projekte të përbashkëta me vende të tjera për të prodhuar më shumë municion dhe armë.
Zyrtarët ukrainas që shoqërojnë në këtë udhëtim zotin Zelenskyy nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi me Lituaninë për prodhimin e përbashkët të armëve. Marrëveshja të tjera të tilla pritet të nënshkruhen gjatë takimeve në Letoni dhe Estoni të enjten.
“E dimë se sa e lodhshme është kjo luftë e zgjatur dhe jemi të interesuar në fitoren e plotë të Ukrainës sa më shpejt që të jetë e mundur”, u tha gazetarëve presidenti lituanez Nauseda.
Tre vendet e vogla të Evropës Lindore janë ndër aleatët më të vendosur politikë, financiarë dhe ushtarakë të Ukrainës. Shumë njerëz në këto vende balltike shqetësohen se mund të bëhen objektivi i ardhshëm i Moskës.
Këto tre vende u kapën nga forcat ruse dhe u aneksuan nga Jozef Stalini gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato rifituan pavarësinë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe u anëtarësuan në NATO në vitin 2004, duke u vendosur kështu nën mbrojtjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë.
“Vendet demokratike kanë bërë shumë për të ndihmuar Ukrainën, por ne duhet të bëjmë më shumë së bashku në mënyrë që Ukraina të fitojë dhe agresori të humbasë”, tha presidenti estonez Alar Karis në një deklaratë.
“Atëherë ekziston shpresa se ky do të mbetet agresioni i fundit ushtarak në Evropë, kur dikush dëshiron t’i diktojë fqinjit të tij me raketa, dronë dhe topa se cilat zgjedhje politike mund të ndërmerren”, tha ai.
BIEN NDIHMAT PERËNDIMORE
Ndërsa zgjatet lufta Ukrainë-Rusi, furnizimet ushtarake perëndimore në Ukrainë janë pakësuar. Në Shtetet e Bashkuara, kërkesa e Presidentit Joe Biden për më shumë ndihma për Ukrainën ka ngecur në Kongres, ndërsa premtimi i Evropës në mars për të siguruar 1 milion predha artilerie brenda 12 muajve nuk është përmbushur, me vetëm rreth 300 mijë predha të dërguara deri më tani.
Por sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vazhduar. Raketat ruse S-300 goditën të martën vonë Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Disa ndërtesa u dëmtuan, por nuk u raportuan viktima.
Shtetet e Bashkuara, shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe më shumë se 20 vende të tjera bënë një deklaratë të përbashkët të martën duke dënuar shitjen e raketave të Koresë së Veriut në Rusi dhe përdorimin në vazhdim nga ushtria ruse të këtyre raketave gjatë sulmeve në Ukrainë.
Deklarata thoshte se sulmet ndodhën më 30 dhjetor dhe 2 janar, dhe se vendet nënshkruese të deklaratës po monitorojnë nga afër se çfarë po i ofron Rusia Koresë së Veriut në këmbim të raketave.
“Transferimi i këtyre armëve rrit vuajtjet e popullit ukrainas, mbështet luftën e agresionit të Rusisë dhe dëmton regjimin global të mos-përhapjes”, thuhet në deklaratë. “Përdorimi i raketave balistike të [Koresë së Veriut] në Ukrainë gjithashtu ofron njohuri të vlefshme teknike dhe ushtarake” për Phenianin.
Ndër nënshkruesit e deklaratës së përbashkët janë edhe ministrat e jashtëm të Argjentinës, Kanadasë, Izraelit, Japonisë, Norvegjisë dhe Koresë së Jugut.
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...