Zelensky në Uashington mes bllokadës në Kongres të ndihmave për Ukrainën

20:14 | 12 Dhjetor 2023
D.H

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua sot në Kongres me ligjvënësit amerikanë, për t’u bërë një lutje të fundit që të vazhdojnë mbështetjen ushtarake për luftën e vendit të tij kundër Rusisë.

Këtë herë ai u duk më i ngrysur, krahasur me vizitën e tij vitin e kaluar në Kongres kur u prit si një hero.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, tha pas takimit me Presidentin Zeleknskyy se administrata e Presidentit Biden duhet të japë më shumë detaje se si do të përdoren fondet.

“Ajo që duket se administrata e Presidentit Biden po kërkon janë miliarda dollarë shtesë pa mbikëqyrjen e duhur, pa strategji të qartë për fitoren dhe pa asnjë përgjigje për ato që kërkon populli amerikan”, tha zoti Johnson.

Republikanë të tjerë hodhën dyshime nëse fondet shtesë do ta ndihmojnë Ukrainën të mposhtë Rusinë, pas një ofensive verore që nuk ka sjellë përfitime të qarta.

“Unë e di se të gjithë duan fitoren e Ukrainës, thjesht nuk po e shoh që kjo të ndodhë”, tha senatori republikan Ron Johnson.

Disa republikanë, veçanërisht ata që kanë lidhje të ngushta me ish-Presidentin Donald Trump, kundërshtojnë ndihmat shtesë për Ukrainën dhe ngrenë pikëpyetje mbi qëllimet e luftës dhe mënyrën se si po shpenzohen fondet e SHBA-së. Ata e kanë kushtëzuar ndihmën për Ukrainën me ndryshimin e politikave amerikane të imigracionit – një çështje jashtëzakonisht e debatueshme në politikën amerikane.

“I vetmi njeri i lumtur për ngërçin në Kongres është Vladimir Putini. Ai është i lumtur për faktin që politikat kufitare të Donald Trumpit po sabotojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Në prag të dimrit, me dhjetëra mijëra ukrainas të vrarë dhe përparimin e forcave ruse në lindje të vendit, zoti Zelensky po përpiqet që të bëjë trysni ndaj ligjvënësve për tejkalimin e ngërçit.

Presidenti Zelenskyy ndodhet në Shtëpinë e Bardhë për takim me Presidentin Biden. Pas takimit, ata pritet që të dalin në një konferencë të përbashkët shtypi.

Presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit miratimin e një pakete prej 110 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, si dhe përparësive të tjera të sigurisë kombëtare. Nëse do të miratohej, Ukraina do të merrte më shumë se 61 miliardë dollarë.

Kanë mbetur vetëm tre ditë para se Kongresi të ndërresë punën për festat e fundvitit. Republikanët në Senat e kanë kundërshtuar këtë projektligj, duke kërkuar ndryshime madhore për sigurinë e kufirit të Shteteve të Bashkuara.

Vizita e udhëheqësit ukrainas vjen një ditë pasi bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi një fond prej 900 milionë dollarësh për Ukrainën nga programi i huasë prej 15.6 miliardë dollarësh i vendit.

Të hënën Presidenti Zelenskyy u prit me duartrokitje në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington.

“E gjithë bota po na shikon, po sheh se çfarë fati mund të kenë vendet e tjera të lira, të jetojnë në liri apo të nënshtrohen. Ukraina nuk është dorëzuar dhe nuk do të heqë dorë. Ne dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ju mund të mbështeteni tek Ukraina dhe shpresojmë se ne mund të mbështetemi tek ju”, tha zoti Zelensky gjatë fjalimit që pati para oficerëve ushtarakë amerikanë.

“Lufta e Ukrainës për liri është një nga kauzat e mëdha të kohës sonë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë përkrah jush. Dhe mos u mashtroni të mendoni ndryshe, angazhimi i Amerikës për të mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus është i palëkundur”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Deri tani, SHBA i ka siguruar Ukrainës 111 miliardë dollarë për luftën e saj kundër agresionit rus.

Moska tha se do të përcjellë “me shumë vëmendje” takimin midis Preisdenti Biden dhe atij ukrainas Zelenskyy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha gjithashtu se “dhjetëra miliarda dollarë” të Uashingtonit për Kievin nuk kanë arritur të ndyrshojnë rrjedhën e luftës dhe se ndihmat e mëtejshme në mënyrë të ngjashme do të dështojnë.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase thanë sot se po përballen me sulme të intensifikuara ajrore dhe kibernetike ruse. Sipas tyre Rusia sulmoi me rreth 600 raketa rajonin jugor dhe hakerë të paidentifikuar ndërprenë shërbimet telefonike dhe të internetit të kompanisë më të madhe në Ukrainë./voa

Të ngjashme