Polonia do të furnizojë Kievin me 60 tanke shtesë për mbrojtje kundër agresionit rus. Ky veprim i Varshavës u mirëprit nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Faleminderit Polonisë për vendimin e rëndësishëm për të dërguar 60 tanke në Ukrainë – 30 prej të cilave janë të famshmet PT-91 Twardy, së bashku me 14 Leopardë”, shkroi Zelensky në Twitter, më 27 janar.
Siç u bë e njohur në fillim të kësaj jave, Ukrainës i janë premtuar gjithashtu tanke luftarake nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki njoftoi për dorëzimin e tankeve më 26 janar, në një intervistë për CTV News kanadeze.
“Aktualisht jemi gati të dërgojmë 60 tanke tona të modernizuara, 30 prej të cilëve janë PT-91. Ndërkaq, në krye të kësaj edhe 14 tanke Leopard 2”, tha ai.
Ai shtoi se Polonia, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, “ka dërguar 250 tanke… ose edhe më shumë”.
Tanket që Polonia tashmë ka dërguar, janë kryesisht të modelit sovjetik T-72, në krahasim me të cilin , modeli PT-91 është një version i modernizuar.
Pas disa javësh debate diplomatike, SHBA-ja dhe Gjermania njoftuan, më 25 janar, për dërgimin e tankeve të tyre të rënda Abrams dhe Leopard në Ukrainë. Ky hap shihet si një përparim në përpjekjet për të mbështetur Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Gjithashtu, Gjermania lejoi vendet e tjera të dërgonin në Ukrainë tanke Leopard të prodhimit gjerman.
Komandantët ushtarakë ukrainas thanë se armët do të ndihmonin kundërofensivat dhe do të reduktonin numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë në luftë.
Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.
Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.
Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL
Pamje nga një lum në Gjilan, Aliu thotë se po pastrohet e po...
Maqedonci dhe Komandanti i FSK-së vizituan ushtrimin fushor ...
Ish-eprori i UÇK-së, Xhevahir Geci i bashkohet PDK-së, do të...
Hoxha: Raportit nëntëmujor i Policisë së Kosovës njofton ulj...
Instruktorët turq trajnojnë ushtarët e FSK-së
Spanjë: 78 persona ende të zhdukur nga vërshimet