Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti “shkatërrues” propozimin për paqe të paraqitur nga Kina dhe Brazili, që tha se është krijuar pa marrë qëndrimin e Kievit.
Duke folur në një intervistë për median braziliane, Metropoles, Zelensky tha se propozimi, që u bë publik muajin e kaluar nga Pekini dhe Brazili, ishte “kryesisht prorus” pasi bën thirrje për kompromis nga Ukraina, e cila që nga shkurti i vitit 2022 po lufton kundër forcave pushtuese ruse.
“Ata thonë se Ukraina duhet të pajtohet për një kompromis. Çfarë kompromisi? Të heqë dorë nga toka e saj, të harrojë se kush na i vrau njerëzit tanë? Për çfarë kompromisi bëhet fjalë? Kompromisi, në këtë situatë, është i papranueshëm. Ata duan që ne të harrojmë vrasjet, të harrojmë gjithçka? Mendoj se kjo qasje është shkatërruese”, tha Zelensky gjatë intervistës e cila u publikua më 12 shtator.
“Si mund të propozohet diçka që thotë kjo është nisma jonë, pa biseduar me ne? Dhe Rusia menjëherë del dhe thotë se e mbështet propozimin braziliano-kinez. Ata nuk janë budallenj. Pse na duhet ky teatër?”.
Më 1 gusht, Kina dhe Brazili bashkërisht publikuan “një konsensus gjashtëpikësh” që synon të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme politike për luftën, që Kremlini nisi dy vjet e gjysmë më parë.
Përmes planit bëhet thirrje për ndërprerje të luftimeve dhe të njihet se dialogu dhe negociatat janë mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës.
Pekini tha se për planin për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës ka pasur “përgjigje pozitive” nga më shumë se 110 shtete.
Por, Zelensky e kritikoi ashpër këtë nismë dhe në intervistën për median braziliane.
Kina edhe më herët kishte tentuar të ndërmjetësonte një plan të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi në shkurt të vitit 2023 paraqiti një plan 12-pikësh, që shpejt u kundërshtua nga udhëheqësit evropianë.
Presidenti i Brazilit, Inacio Lula da Silva, ka raporte të forta me Kinën dhe po synon që shteti i tij të luaj rol në përpjekjet që lufta në Ukrainë të përfundojë përmes një procesi të paqes.
Në korrik, ministri i atëhershëm i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se shteti i tij do angazhohej me Rusinë në bisedime të paqes vetëm kur Moska “të jetë gati të negociojë në mirëbesim”, duke shtuar se “aktualisht nuk ka një gatishmëri të tillë në palën ruse”./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...