Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur fjalim në samitin e shtatë shteteve më të industrializuara (G7), dhe u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të bllokojnë sektorin rus të energjisë me sanksione tjera, për t’ia pamundësuar përfitimet financiare.
Ai i ka bërë këto deklarata dy ditë pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse të Rusisë nëpër qytetet ukrainase.
Si pasojë e sulmeve kanë vdekur të paktën 19 persona dhe qindra qyteza e fshatra kanë mbetur pa rrymë.
Në pjesëmarrjen virtuale, Zelensky ka thënë se duhet të vendoset “një çmim tavan” për të eksportet e naftës dhe gazit nga Rusia.
Çmimi tavan është çmimi maksimal i lejuar ligjërisht në një shtet.
“Rusia duhet të izolohet plotësisht dhe të ndëshkohet. Të ndëshkohet si në aspektin politik, ashtu edhe përmes sanksioneve”, ka thënë ai.
“Hapa të tillë e bëjnë paqen më të afërt – inkurajojnë shtetin terrorist që të mendojë për paqen, për dëmet e luftës”, u ka thënë Zelensky liderëve të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Gjermanisë, Britanisë, Japonisë, Francës dhe Italisë.
Liderët e G7-s kanë dënuar sulmet e fundit të Rusisë dhe kanë thënë se do ta mbajnë përgjegjës presidentin rus, Vladimir Putin për to.
“Ne dënojmë këto sulme në nivelin më të lartë dhe rikujtojmë se sulmet pa dallim ndaj popullatës civile përbëjnë krime lufte”, është thënë në deklaratë.
Përgjatë fjalimit të tij, Zelensky u ka bërë thirrje liderëve botërorë për më shumë mbrojtje ajrore që mundësojnë neutralizimin e sulmeve ajrore, duke thënë se kur Ukraina të pranojë sisteme të tilla “elementi kyç i terrorit rus, sulmet me raketa, nuk do të funksionojë më”.
Ai ka falënderuar të gjitha shtetet që kanë ndihmuar Ukrainën që të sigurojë sisteme ajrore për mbrojtje sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, mirëpo bazuar në inteligjencën ukrainase, Rusia ka porositur 2.400 dronë në Iran.
Zelensky ka thënë se G7 duhet të pranojë se nuk mund të ketë dialog me Putinin, i cili, sipas tij, beson vetëm në terror dhe “nuk ka të ardhme”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë më 11 tetor se Moska është e hapur për të biseduar me Perëndimin për luftën në Ukrainë, mirëpo ende nuk ka marrë propozime serioze për të negociuar.
Rusia ka nisur valë të re sulmesh me raketa në disa rajone të Ukrainës, një ditë pas shpërthimit në fundjavë në urën që lidhë Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /rel
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit