Zelensky flet me shefin e NATO-s përpara samitit të Madridit

12:12 | 28 Qershor 2022
Fjolla Bajraktari

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, përpara mbajtjes së samitit në Madrid. Presidenti i ka thënë se Ukraina ka nevojë për sisteme të mbrojtjes raketore për të parandaluar sulmet ruse.

“Pata një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Jens Stoltenberg koordinoi pozicionet në prag të Samitit të NATO-s në Madrid. Theksova rëndësinë e një sistemi të fuqishëm të mbrojtjes raketore për Ukrainën për të parandaluar sulmet terroriste ruse”, ka shkruar Zelensky.

Udhëheqësit e NATO-s, të cilët do të takohen sot në Madrid, pritet të miratojnë planet për të zgjeruar në masë të madhe numrin e trupave në gatishmëri të lartë në më shumë se 300,000.

Sekretari i përgjithshëm i aleancës e quajti këtë veprim rishikimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga Lufta e Ftohtë. /abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme