Zelensky emëron komandantin e ri të ushtrisë ukrainase

18:23 | 8 Shkurt 2024
E.K

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ka emëruar Oleksandr Syrskiy në postin e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës. Këtë njoftim Zelensky e bëri disa minuta pasi njoftoi se ishte koha për një “udhëheqje të ripërtërirë” të Forcave të Armatosura të shtetit.

Zelensky u takua me ish-komandantin e përgjithshëm, gjeneralin Valeriy Zaluzhniy, më herët gjatë 8 shkurtit dhe tha se i ka kërkuar që të qëndrojë “në ekipin e tij”, edhe pse nuk specifikoi se në çfarë kapaciteti.

Për javë të tëra ka pasur spekulime se Zelensky po e shqyrtonte mundësinë e largimit të Zaluzniyit, për shkak të dallimeve që kishin në strategji në kohën kur Ukraina po vazhdon luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Tensionet mes presidentit Zelensky dhe gjeneralit Zalunzhniy u vunë re në nëntorin e vitit të kaluar, pasi gjenerali kishte publikuar një ediorial në The Economist, ku deklaroi se lufta kishte hyrë në një ngërç dhe se vetëm përparimi teknologjik do t’i mundësonte Ukrainës që të përmbushë qëllimin e saj për të çliruar territoret e pushtuara.

Pas publikimit të editorialit, Zyra e Zelenskyt menjëherë kishte hedhur poshtë vlerësimet e gjeneralit lidhur me situatën në fushëbetejë.

Ndërrimi i udhëheqësit të ushtrisë ukrainase u bë teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës është afër dyvjetorit të nisjes së tij./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme