Zelensky dhe Scholz kërkojnë zgjatjen e marrëveshjes së drithërave

22:10 | 3 Korrik 2023
Orgesa Haziri

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, bënë thirrje më 3 korrik për zgjatjen e një marrëveshjeje që lejon eksportin e sigurt të grurit dhe plehrave nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, tha një zyrtar.

Liderët e Ukrainës dhe Gjermanisë e bënë këtë thirrje për zgjatje përtej 17 korrikut gjatë një bisede telefonike, tha zëdhënësi i Scholz.

Zëdhënësi tha se gjatë telefonatës u bisedua edhe për ndihmat humanitare, ushtarake dhe politike për Ukrainën.

Më 21 qershor, Kremlini kishte thënë se nuk ka “asnjë bazë” për zgjatjen e marrëveshjes së Detit të Zi për drithëra, duke thënë se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) nuk po zbatohej siç duhet.

E negociuar në korrik të vitit të kaluar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, marrëveshja ka mundësuar një korridor të sigurt për dërgesat me drithëra ukrainase, që transportohen nga portet në Detin e Zi. Këto porte, paraprakisht kishin qenë të bllokuara për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Rusia kishte rënë dakord në maj për një zgjatje dy-mujore të kësaj marrëveshjeje, por ka thënë se Iniciativa do të ndërpritet nëse nuk përmbushet një marrëveshje për eksportet ruse të grurit dhe plehrave.

Ukraina e ka akuzuar disa herë Rusinë se po e pamundëson zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke bllokuar regjistrimin e anijeve në të gjitha portet e Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se që nga mesi i prillit, Rusia ka “kufizuar në mënyrë të paarsyeshme” zbatimin e marrëveshjes së grurit.

Në prill, Rusia kishte paralajmëruar se Moska kërkon zbatimin e disa kushteve të saj për zgjatjen e mëtejshme të marrëveshjes./REL/

Të ngjashme