Zëdhënësi i Erdoganit: Ministrat turq mund të planifikojnë një tubim të ri në Gjermani

11:23 | 19 Mars 2017
Arbresh.info

Turqia thotë se ka gjasa që ministrat e Turqisë mund të planifikojnë një tubim tjetër në Gjermani, përpara referendumit të 16 prillit, një lëvizje e cila mund të tensionojë më shumë raportet në mes të Ankarasë dhe Berlinit.

Kjo deklaratë është bërë nga Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit Recep Tayyip Erdogan, gjatë një interviste dhënë sot për CNN në gjuhën turke.

Më herët, Kalin ka kritikuar autoritetet gjermane për lejimin e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) që të mbajnë tubime në Gjermani.

Rreth 30,000 kurdë janë mbledhur në qendrën e Frankfurtit më 18 mars, për të protestuar kundër referendumit, i cili do t’ia rrisë kompetencat presidentit Ergodan.

Pas ndalimit të disa tubimeve të ministrave turq në Holandë dhe Gjermani, tensionet mes Ankarasë dhe Evropës janë rritur.

Erdogan ka akuzuar Gjermaninë për “praktika naziste”, ndërkaq Holandën e ka fajësuar për Masakrën e Srebrenicës.

Turqia po ashtu ka kërcënuar se do të dërgojë 15 mijë refugjatë në Bashkimin Evropian, duke thënë se mund të largohet nga marrëveshja me BE-në, për ndaljen e fluksit të refugjatëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme